Mbolli hashash në banesë, i dënuari sillet nga Italia
Interpol ka ekstraduar dje një shqiptar të kërkuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Policia tha se rreth orës 17:20, nga Interpol-Tirana u krye ekstradimi nga Milano drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Stefan Nasi Petani, 45 vjeç, lindur në Fier. Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 27 prill 2006, e ka dënuar këtë person me 4 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “kultivimit të bimëve narkotike”. Në datën 10 qershor 2005, oficerët e policisë gjyqësore kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Stefan Petani dhe tokën rreth saj. Gjatë këtij kontrolli janë gjetur dhe sekuestruar 15 rrënjë bimë narkotike të mbjella, si dhe 100 gramë kanabis, në gjendje të thatë dhe e paketuara në një qese plastike. Ky person është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë më 17 dhjetor 2009. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
#