Gjobëvënia 30 milionë lekë, nën hetim Mekshi
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim Revion Mekshin, i arrestuar disa ditë më parë për akuzën e gjobëvënies ndaj shtetasit me inicialet R.P. Fillimisht Mekshi është hetuar në Policinë dhe Prokurorinë e Durrësit, pasi i akuzuari pas mesnate i telefononte “presë” së tij në numrin e shtëpisë. Në telefonatë ai nuk fliste dhe kjo e ka shqetësuar shtetasin R.P., i cili i është drejtuar policisë për të kryer një denoncim. Pas vëzhgimesh dhe përgjimesh, policia ka zbardhur se në këtë rast kemi të bëjmë me një kërcënim serioz. Telefoni i shtëpisë është vënë nën përgjim dhe pas disa ditësh Mekshi ka filluar të flasë në telefon, duke kërkuar një shumë të majme lekësh. Kërcënimet kanë vijuar edhe në numrin e celularit të shtetasit R.P., i cili ka marrë një SMS kërcënuese me jetë. Revion Mekshi i kërkonte 30 milionë lekë, pasi në të kundërt do t’i vriste vajzat. Hetimet filluan në muajin mars 2010 dhe arrestimi është kryer me një vendim gjykate.
#