Shqiptari për vrasje, Most Wanted në SHBA
Një shqiptar është hedhur dje nga autoritetet amerikane në listën e “më të kërkuarve” ndërkombëtarë për akuzën e vrasjes. Ervis Meçollari u përfshi së fundmi në listën “Most Wanted” pas dështimit të policisë në kapjen e tij. Shqiptari akuzohet se ka vrarë me thikë një bashkëkombës të tij shqiptar në Waterbury, Conn. Viktima ka qenë Maringlen Meko, i qëlluar me thikë pas një mosmarrëveshjeje me të shumëkërkuarin Ervis Meçollari. Ata ishin takuar në një park, kur Meçollari kishte marrë me vete një thikë, me të cilën e qëlloi viktimën në gjoks, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas policisë, i dyshuari për krimin besohet se ka vrarë edhe një vajzë, e cila ka jetuar në apartamentin e tij, Laura Orso. Trupi i saj është gjetur në banesën e Meçollarit nga miq të tij gjatë festës së Krishtlindjeve. Vajza ishte qëlluar 37 herë me thikë në gjoks. Hetuesit amerikanë menjëherë kanë nisur kërkimet në Shqipëri dhe në të gjithë botën për të dyshuarin, i cili i ka shpëtuar arrestimit. Imazhi i shqiptarit është shfaqur së fundmi në një spot në televizionet amerikane, ku policia u bën thirrje njerëzve në dijeni të vendndodhjes së tij të telefonojnë menjëherë, duke premtuar se informatorët do të mbeten anonimë. Policia ka thënë se shqiptari është i dyshuar edhe për krime të tjera të ngjashme. Ai është 22 vjeç, me flokë të zinj dhe sy kafe. Nga mediat amerikane mësohet se policia po e kërkon në Konektikat, Nju Jork, Florida dhe Shqipëri.
#