Kanabis në tokën e komunës, hetohet kreu i kadastrës
Gjendet kanabis sativa në një tokë publike, penalizohet kreu i zyrës së kadastrës, që e kishte nën juridiksion. Burime zyrtare nga policia e Mallakastrës bëjnë të ditur se pas gjetjes së 201 rrënjëve të bimës kanabis sativa në një sipërfaqe toke publike nën juridiksionin e Komunës Kutë, është vënë përballë përgjegjësisë shefi i kadastrës së kësaj komune, Musa Hoxha. Ky i fundit po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ka qenë një kontroll rutinë, zhvilluar një ditë më parë në kodrat e fshatit Kutë të Rrethit Mallakastër, ai që ka konstatuar ekzistencën e rrënjëve të bimës narkotike. Nga burimet zyrtare të policisë së Mallakastrës mësohet se aksioni u ndërmor në kuadër të planit të masave të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Fier në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në bashkëpunim me Komunën Kutë. Nga ky kontroll i ushtruar në terrenin e këtij fshati, u gjet një parcelë e mbjellë me bimë të dyshuara si kanabis sativa. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se në kodrën e quajtur “Lorica” të këtij fshati u gjet një parcelë e ndarë në tri pjesë në të cilën ishin mbjellë 201 bimë të cilat dyshohen se janë narkotike. Parcela e tokës është në juridiksionin e Komunës Kutë. Për këtë arsye, nga ana e strukturave policore u përgatitën materialet për fillimin e procedimit penal në gjendje të lirë për veprën penale “shpërdorim detyre” në ngarkim të shtetasit Musa Hoxha, 63 vjeç, me detyrë përgjegjës i kadastrës së Komunës Kutë. Procedimi penal për këtë shtetas filloi pasi ky punonjës nuk ka kryer verifikimin për të gjitha parcelat e tokës që ka në juridiksion Komuna Kutë, duke mos përcaktuar kështu pronësinë mbi parcelën në të cilën u konstatuan të mbjella bimët narkotike. Ndërkohë, nga ana e policisë po punohet për zbulimin e autorëve të kultivimit të sasisë së bimëve narkotike.
#