E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evazioni, bukëpjekësit kërcënojnë me grevë

Prodhuesit i drejtohen kreut të Tatim-Taksave: Luftoni ilegalitetin, ose përfundojmë si Greqia

Prodhuesit e mëdhenj të bukës në Qarkun e Fierit kanë paralajmëruar se do të hidhen në grevë dhe do të bllokojnë aktivitetet e tyre për një kohë të pacaktuar. Shkak i këtij vendimi, që është mbështetur edhe nga shoqata e prodhuesve të bukës në shkallë vendi, është bërë konkurrenca e pandershme.

Vendimi për të ndërprerë prodhimin e bukës i është komunikuar dje drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Tatim-Taksave, Artan Papajanit.

Petrit Rrokaj, prodhuesi i bukës “Daullas”, i ka thënë drejtpërdrejt Papajanit: “Fieri ka tre fabrika buke, që përmbushin jo vetëm kushtet e prodhimit, por edhe detyrimet tatimore. Por, në fakt në Fier janë mbi 70 furra që operojnë duke anashkaluar detyrimet tatimore e duke na vënë në rrezik ne si të ligjshëm. Ne po falimentojmë nga piratët, të cilët shteti nuk po i kap dot. Këtë ia kam komunikuar edhe Kryeministrit, por edhe juve po jua them: në rast se nuk do të ndërhyni, atëherë ne kemi vendosur si shoqatë të ndërpresim prodhimin e bukës dhe të hidhemi në grevë. Në rast se ju nuk do të ndërhyni si shtet, shumë shpejt, atëherë kriza e Greqisë do të përsëritet edhe në vendin tonë”.
Përballë këtij denoncimi të drejtpërdrejtë dhe kërcënimi për grevë, drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave, Artan Papajani, ka pranuar faktin se në Fier, si dhe në gjithë vendin, operojnë me dhjetëra biznese pirate, që u shmangen edhe detyrimeve tatimore. Ai i është drejtuar drejtorit të Fierit, Albert Malaj, duke i thënë se puna në këtë drejtori do të nisë pikërisht me luftën kundër biznesit të paregjistruar.

Por jo vetëm prodhuesit e bukës kanë vënë përpara përgjegjësisë drejtorin e tatimeve. Edhe firmat që lëndën e parë e sigurojnë nga importi kanë shprehur ankesat e tyre. Një përfaqësues i kësaj kategorie biznesi, Dilaver Kamberi, i cili drejton firmën “Jordil” sh.a., i tha drejtorit Papajani se firmat prodhuese të vendit qarkullojnë pa faturë TVSH-je mallin e tyre, duke u kthyer kështu konkurrentë të drejtpërdrejtë të aktivitetit të tyre.

“Po falimentojmë nga mosfunksionimi i strukturave të shtetit”, tha Dilaver Kamberi.
Të njëjtin problem, atë të evazionit nga biznesi i paligjshëm, e kanë ngritur edhe përfaqësuesit e prodhimit të qumështit. Sotir Velo është një prej tyre dhe gjatë takimit me kreun e Tatim-Taksave, tha se TVSH-ja po vë në rrezik bizneset që kanë përmbushur tashmë standardet europiane në prodhim, por në tregtim janë shumë larg tyre.

Artan Papajani ishte në Fier i shoqëruar nga nëndrejtori i Përgjithshëm, Besnik Nuredini, si dhe drejtori i sistemit të pagesës së taksave, Erion Prifti. Qëllimi i takimit ishte riformatimi i administratës tatimore. Sipas Papajanit, implementimi i strukturës së re do të nisë nga Fieri dhe do të vijojë në të gjithë vendin. Duke vlerësuar drejtorin e fundit të tatimeve, Albert Malaj, drejtori i Përgjithshëm, Artan Papajani, ka pranuar se ndërrimi i gjashtë drejtorëve brenda nëntë muajsh në degën e Fierit ka pasur si motiv pikërisht mosarritjet e tyre.

Nga Fieri, drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave ka premtuar se do të hiqen policët tatimorë dhe do të vendosen avokatët e biznesit në strukturën më të re të administratës së tatimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›