E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpejtësia e madhe, aksidentohet funksionari i ambasadës ruse

Krujë Shtetasi rus me inicialet A.K., përfundoi në spital i plagosur

Një autoveturë e ambasadës ruse në Tiranë ka dalë nga rruga nacionale Fushë-Krujë - Krujë, dje në orën 20:45. Sipas burimeve zyrtare të policisë rrugore në Krujë, mësohet se fuoristrada me targa CD21009 ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Halil, ndërsa udhëtonte nga Kruja në drejtim të Tiranës. Kalimtarë të rastit që kanë vënë re mjetin që ka dalë nga rruga, kanë lajmëruar policinë, si dhe i kanë dhënë ndihmën e parë drejtuesit të mjetit, me inicialet A.K., nga Rusia. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, A.K., funksioni i të cilit në ambasadë nuk bëhet i ditur, është dërguar në spitalin e Krujës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve të këtij spitali. Burime nga spitali i Krujës bëjnë të ditur se shtetasi rus ka marrë disa dëmtime të lehta në trup. Në vendin e aksidentit kanë mbërritur edhe ekspertë të qarkullimit rrugor, të cilët kanë kryer ekspertizën e vendit të ngjarjes, për të nxjerrë edhe shkaqet e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e mjetit, por edhe disa guralecë në asfalt, që kanë ndikuar në rrëshqitjen e mjetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›