E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet për falsifikim drejtori i shkollës së mesme

Martanesh Kadri Gjoni, kandidat i PD-së për kryetar komune në 2007-n

Drejtori i një shkolle të mesme në Rrethin e Bulqizës ka rënë në prangat e policisë për falsifikim dokumentesh. Ngjarja ka ndodhur në Krastë, qendër e Komunës Martanesh. Burime nga Drejtoria e Policisë Dibër konfirmuan për “Shqip” se gjatë ditës së djeshme forcat e policisë së Antikrimit Ekonomik kanë prangosur Kadri Gjonin, 45 vjeç, aktualisht drejtor i shkollës së mesme në Krastë të Martaneshit, pasi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Sipas policisë, falsifikimi i dokumenteve ka ndodhur vite më parë, kur 45-vjeçari Gjoni kryente detyrën e arkëtarit të pagimit të pensioneve për pensionistët e Komunës Martanesh. Kujtojmë se i prangosuri në zgjedhjet lokale të 2007-s ka kandiduar për kryetar komune si përfaqësues i Partisë Demokratike. Pikërisht gjatë kësaj kohe dyshohet se janë kryer edhe falsifikimet në dokumentet e pensioneve prej tij. Pasi nuk arriti të fitojë në zgjedhje, ai kaloi në arsim, si drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Krastë, detyrë që e ushtroi deri dje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›