Lushnjë e Fier, 850 nëna të mashtruara për shpërblimin e lindjes
Rreth 400 gra në qytetin e Lushnjës, të cilat kanë prurë në jetë fëmijë, nuk kanë marrë ende shpërblimin që u takon me ligj. Bëhet fjalë për të gjitha ato nëna që kanë lindur gjatë viteve 2008, 2009 dhe 2010. Lajmi i mospagesës së një numri të lartë nënash të reja konfirmohet zyrtarisht prej departamentit të informacionit pranë Bashkisë së Lushnjës. Ndërsa kryefinancierja e bashkisë, Servete Goroveli, sqaroi se shkak për mospagesën është bërë fondi ende i palëvruar nga Ministria e Brendshme.
Sipas Gorovelit, numri real i nënave të papaguara mund të jetë më i lartë, por në dosjet e përpiluara prej zyrës që ajo drejton konfirmohet se janë 400. Po ashtu, Goroveli ka shpjeguar se bëhet fjalë për lindjet e regjistruara gjatë viteve 2008, 2009 dhe 2010.
“Ne kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga Ministria e Brendshme për fondin e shpërblimit dhe e kemi përsëritur gjatë tri viteve të fundit, por nuk na ka ardhur. Tashmë jemi sërish në pritje të këtij fondi. Zyrtarisht bashkia ka kryer të gjitha procedurat ligjore”, tha kryefinancierja e bashkisë, Servete Goroveli.
Prej saj mësohet se në muajin janar të këtij viti ka ardhur një fond prej 1 milion e 200 mijë lekësh, i cili ka mundësuar pagesën e një numri të vogël nënash, ndërkohë që 400 prej tyre janë akoma në pritje.
Por jo vetëm nënat e qytetit të Lushnjës nuk janë shpërblyer për fëmijët e prurë në jetë. Edhe në Fier prej vitesh ekziston një problem i tillë. Sipas kryefinancieres së Bashkisë së Fierit, Antoneta Dhima, janë mbi 450 gra që presin fondin e ministrisë për t’u shpërblyer.
#