E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i pajetë 45-vjeçari, kërkohej prej katër ditësh nga të afërmit



LIBRAZHD - Një 45-vjeçar, që kërkohej prej 4 ditësh nga të afërmit e tij, u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një rrugë malore në fshatin Veçan të Komunës Hotolisht (Librazhd), ndërsa dyshohet se ai ka gjetur vdekjen për shkak të të ftohtit. Burime të policisë thanë për gazetën se 45-vjeçari Bedri Belba, banues në fshatin Skroskë të Komunës Qukës në Librazhd, punonte si roje pyjesh në këtë zonë. Të njëjtat burime thanë se dy ditë më parë familjarët kishin kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e 45-vjeçarit, që ishte larguar nga shtëpia prej katër ditësh. Pas marrjes së këtij denoncimi, policia nisi menjëherë kërkimet, të cilat u finalizuan të enjten në mëngjes. Mësohet se trupi i pajetë i 45-vjeçarit u dërgua në morgun e spitalit, ndërkohë që grupi hetimor ka hedhur dyshimet se vdekja e tij është shkaktuar nga i ftohti.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›