Postblloqet speciale në rrugë, asnjë bot me ujë drejt Lazaratit
GJIROKASTER – Uniforma të shumta policie dhe forca speciale kanë qenë të pranishme edhe ditën e djeshme në aksin kryesor të jugut Gjirokastër-Sarandë-Kakavijë. Prezenca e tyre ka rikonfirmuar edhe njëherë se Policia e Shtetit e ka marrë seriozisht identifikimin e automjeteve të papajisura me dokumentacion dhe bllokimin e atyre që mund të shfrytëzohen për transport të bimëve narkotike. Tre postblloqe policie prej dy ditësh janë ngritur në një gjatësi prej 20 km nga qyteti i Gjirokastrës e deri në afërsi të fshatit Jorgucat, në kthesën drejt rrethit të Sarandës. Me qindra automjete janë kontrolluar dje nga këto postblloqe për të identifikuar vlefshmërinë e dokumentacionit të tyre. Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës kanë pohuar se aksione si ai i së mërkurës, që përfundoi me sekuestron e 20 automjeteve, disa prej të cilave bote uji dhe arrestimin e 3 personave, do të vijojë edhe gjatë ditëve të shtatorit. Forcat speciale të mbërritura nga Fieri që prej të dielës, qarkullonin dendur me automjete dhe të armatosur deri në dhëmbë para rrugës hyrëse për në fshatin Lazarat, duke mos lejuar asnjë autobot me ujë të ngarkohet për në fshat. Për pasojë, gjatë 24 orëve të kaluara asnjë autobot nuk ka marrë “guximin” të hyjë në fshatin e shumëpërfolur për kultivimin e kanabisit. Mësohet se nga policia është vënë nën survejim edhe vendi në afërsi të rrjedhës së lumit Drino, ku furnizoheshin botet. Kjo situatë duket se ka nervozuar një pjesë të mirë të banorëve lazaratas, të cilët me veprimet e tyre shprehëse në fytyrë, kanë treguar papajtueshmërinë me situatën e krijuar. Bëhet e ditur se nuk është regjistruar asnjë incident mes banorëve të fshatit dhe policisë, e cila qëndron në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në fshat, nëse do të lindë nevoja. p.n