Vieira, elozhe për Roi Kin
01/02/2005 Mesfushori i Arsenalit, Patrik Vieira, i ka nxehur më shumë gjakrat e supersfidës që do të zhvillohet në “Hajbëri Park”. Ai ka bërë të ditur se, Roi Kin është lojtari i vetëm që mund të quhet forca kryesore për skuadrën e Mançester Junajtid. Sipas francezit vetëm kapiteni i djajve të kuq mund të bëjë diferencën për skuadrën e drejtuar nga Aleks Ferguson. Pavarësisht nga mosha e Roi Kin, mesfushori francez është i mendimit se kapiteni irlandez i Mançester Junajtid vazhdon të mbetet akoma lojtari më i rrezikshëm. “Ai është nga lojtarët e vetëm, të cilin unë e admiroj më shumë prej të gjithëve si rezultat i disa karakteristikave të veçanta që ai zotëron, ka thënë Vieira. Ai gëzon akoma një kapacitet të jashtëzakonshëm për të udhëhequr skuadrën e tij. Për mua ai mbetet ende një nga më të mirët në botë. Pasi kam kaluar nëntë sezone me Arsenalin mund të them se pa dyshim, Kin ka qenë kundërshtari më i fortë për mua. Më duket sikur jemi pothuajse njësoj. Kur vitet kalojnë, ajo çfarë të mban akoma të lidhur me lojën e futbollit duke u krahasuar fare mirë me lojtarë të tillë si Stiven Zherard apo Frenk Lampard, është se gjithmonë kërkon të jesh më i mirë. Në futbollin modern, sidomos për një mesfushor, do të jetë gjithmonë shumë e vështirë për të qëndruar në majat e karrierës për një moshatar si 33 vjeçari Roi Kin. Ndoshta karriera mund të vazhdoj në mbrojtje dhe ndoshta Kin mund të përfundoj si një qendërmbrojtës”. Edhe pse Arsenali gjendet në kuotën e 10 pikëve diferencë prej Çelsit, Vieira mendon se ka ende kohë për të pranuar humbjen lidhur me luftën për titullin kampion. “Nëse Çelsi do të humbiste një ndeshje, asnjëherë nuk i duhet se si mund të reagojnë ata, ka shtuar Vieira. Ne do të fitojmë patjetër diçka shumë të rëndësishme në këtë sezon dhe besoj shumë se do të triumfojmë duke bërë për vete titullin kampion”.