Vietti:Integrimi kërkon drejtësi të pavarur,efikase
TIRANE- Zv.Kryetari i Këshillit të Lartë të Magjistraturës së Republikës së Italisë, Michele Vietti në kuadër të bashkëpunimit dy palësh po qëndron në Tiranë për një vizitë dy ditore. Vietti është takuar me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj si dhe me ministrine Drejtësise, Eduart Halimi. Ne fjalen e tij, Vietti theksoi se vendet mike duhet të luajnë rol kryesor mbështetës për Shqipërinë në kuadër të aderimit të saj pranë strukturave Evropiane.
Ndersa ministri Halimi e njohu me te gjitha reformat e ndermarra ne drejtesi, Vietti u shpreh per mediat se, integrimi kërkon një drejtësi efikase dhe të pavarur.
Vetë zonja Beçaj u shpreh se duhet të ekzistojnë disa elementë që garantojnë pavarësinë e gjyqtarit gjatë karrierës së tij.
Një sistem drejtësie autonom dhe i paanshëm kërkon që gjyqtarët të zgjidhen jo vetëm në bazë të meritave profesionale por edhe të gëzojnë qëndrueshmëri në detyrë, gjë e cila shërben si garanci për pavarësinë individuale gjatë ushtrimit të detyrës. Standarde të tilla nuk duhen parë vetëm në funskion të përmirësimit institucional apo përfitimit personal të gjyqtarit, por veçanërisht në shërbim të drejtësisë së kërkuar nga qytetarët dhe krijimit të besimit të tij tek drejtësia- tha ajo.
Vietti u shpreh se mirëfunksionimi i drejtësisë lidhet ngushtë me krijimin e stabilitetit të demokracisë duke krijuar kushte të favorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe zhvillimin pozitiv ekonomik të një vendi.