Topalli nis nesër një vizitë 2 ditore në Maqedoni
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do të nisë nesër një vizitë dy ditore në Maqedoni. Siç njofton e përditshmja në shqip, gazeta Koha, Topalli do të jetë në Shkup me ftesë të homologut të saj maqedonas, Trajko Veljanovski.
Takimi i saj i parë është parashikuar të mbahet me liderin e partisë shqiptare BDI, Ali Ahmeti, ndërsa menjëherë më pas edhe me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi.
Pas këtyre takimeve kryeparlamentarja shqiptare do ta vizitojë Shtëpinë Muze të Nënë Terezës, Komunën e Çairit, si dhe do të ketë një drekë pune me zëvendëskryeministren Teuta Arifi.
Në ditën e dytë të vizitës, Topalli bashkë me deputetët që do ta shoqërojnë, do të pritet nga homologu i saj, Trajko Veljanovski, ndërsa më pas do të ketë edhe fjalim përshëndetës para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë.
Ajo, përveç takimit me deputetët e grupit të miqësisë Maqedoni-Shqipëri, do të takohet edhe me një grup të grave deputete, ndërsa në vijim do të ketë takime me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe presidentin e shtetit, Gjorgje Ivanov.
Sipas gazetës Koha, në një njoftim të ambasadës shqiptare në Maqedoni, vizita e Topallit cilësohet si e rëndësishme, e cila zhvillohet në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar midis dy vendeve tona si dhe në dobi të zgjerimit të bashkëpunimit në interes të procesit të integrimit rajonal dhe euroatlantik.
Në mesin e këtij muaji pritet që edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi të vizitojë Maqedoninë.