E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banjat e diellit, të dobishme për veshkat



Banjat e diellit veprojnë mirë në punën e veshkat. Krahas me zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, zgjerohen edhe enët e gjakut në veshka. Nëse shtohet djersitja në lëkurë, nuk ka ndonjë ndryshim në funksionin e veshkave, por kur nuk shtohet djersa, banjat e diellit shkaktojnë rritjen e punës së veshkave duke shtuar nxjerrjen e urinës dhe bashkë me të, edhe të lëndëve e tjera që përmban urina. Është vënë re se veprimi i rrezeve të diellit nuk shkakton ndonjë dëm mbi veshkat, jo vetëm kur ato janë të shëndosha, por edhe kur janë të sëmura. Klima e nxehtë përgjithësisht ka një ndikim të mirë në funksionimin e veshkave. Banjat e ajrit bëhen 1-2 orë në ditë, veçanërisht në sëmundjet e gurëve të veshkave dhe fshikëzën e urinës. Ato (veshkat) as që i hetojmë, e për çdo ditë filtrojnë 180 litra lëngje (prej të cilave 179 litra reabsorbohen, e vetëm 1 litër hidhet jashtë përmes urinës). Kur veshkat janë të shëndosha, ato mund t’i përshtaten mënyrës sonë të jetesës, përkatësisht shtimit të sasisë të ushqimit (nëse nuk tejkalohet jashtë mase), nuk ndikon negativisht në punën e tyre. Problemet paraqiten vetëm atëherë kur veshkat sëmuren. Kur nuk kryejnë më funksionin e tyre të filtrimit dhe të djegies të substancave të dëmshme, thuhet se fjala është për insuficiencën (pamjaftueshmërinë). Simptomat janë: lodhje, tretje e vështirësuar, anemia paraqitet më vonë, kur sëmundja të jetë në fazën më intensive.
Ushqimi
Kur sëmundja të jetë në fazën fillestare, artikujt e vetëm ushqimorë që duhen përjashtuar janë: gjalpi, mishi, sallamet, sepse me rastin e tretjeve të tyre prodhohen në sasi më të mëdha thartira të urinës. Meqë veshkat nuk munden më t’i largojnë këto substanca helmuese, ekziston rreziku i helmimit. Më vonë nëse përparon sëmundja, duhen zvogëluar në mënyrë drastike pemët dhe perimet. Në këto raste, ndihmë të madhe paraqesin prodhimet ushqimore pa albumina. Të sëmurët nga veshkat që janë në dializë duhet të marrin shtesa sasiore, sepse organizmi ka nevojë për energji të shtuar. Të vetmit artikuj ushqimorë që nuk duhet të konsumohen janë: fasulja, bananet, arrat, kumbullat e thara, sepse mund të shkaktojnë problem me zemrën. Po ashtu, duhet marrë sa më pak lëngje.
Uji
Njeriu humb përafërsisht 2-3 litra ujë në ditë nëpërmjet shkarkimit të mbeturinave trupore dhe djersës. Veshkat duhet të shkarkojnë të paktën 280 miligramë në ditë për të pastruar trupin nga mbeturinat helmuese. Kur veshkat shkarkojnë acidin urik dhe urenë, dy lëndë helmuese, këto janë të shkrira në ujë. Nëse ju nuk pini ujë të mjaftueshëm, mbeturinat nuk pastrohen si duhet dhe mund të krijojnë gurë në veshka. Uji përmban kripëra të shkrira. Kripërat rregullojnë shpërndarjen e ujit në trup. Nëse nuk pimë ujë aq sa duhet, ne dehidratohemi dhe na merr etja. Kripërat grumbullohen në një pikë dhe trupi merr ujin e qelizave për të shkrirë këtë grumbullim. Kjo sjell keqfunksionimin e veshkave, sepse pavarësisht nga sasia e ujit të marrë, ato duhet të shkarkojnë të paktën 280 ml në ditë për të pastruar trupin nga mbeturinat helmuese. Uji është element kyç për kryerjen e reaksioneve kimike gjatë tretjes dhe metabolizmit të ushqimit. Ai përçon elemente dhe oksigjen në qeliza nëpërmjet gjakut, si edhe ndihmon rregullimin e temperaturës trupore nëpërmjet djersitjes.
Veshkat
Në trupin e njeriut ekzistojnë dy veshka, të vendosura në regjionin e mesit nga të dy anët e shtyllës së kurrizit, nën anën e poshtme të brinjëve. Ato kanë ngjyrë të kuqe-kafenjtë e formë si kokërr fasuleje dhe madhësi sa një grusht. Përmes veshkave nga organizmi nxirren tepricat e ujit dhe produktet e fundit të metabolizmit. Funksioni kryesor i veshkave është që nga gjaku të mënjanohen produktet e fundit të metabolizmit, e gjaku i pastruar të kthehet në trup. Çdo minutë, përmes arterieve të veshkave, në veshka hyn rreth një litër gjak (një e pesta e tërë gjakut që pompohet nga zemra). Pasi të pastrohet, gjaku kthehet prapa, përmes venave të veshkave. Veshkat posedojnë sistem të komplikuar për filtrim. Në çdo veshkë ekzistojnë rreth një milion njësi, të quajtura nefrone. Çdo nefron përmban një filtër të vogël të quajtur glomerul, i cili është i lidhur me kanalthet. Teprica e ujit së bashku me produktet hedhëse ndahet nga gjaku me një proces të quajtur filtrim dhe shkon në kanalthe. Nëse humbet njëra veshkë, veshka tjetër zmadhohet që ta kompensojë funksionin e veshkës që mungon.
Substancat në gjak
Veshkat e kontrollojnë nivelin e shumë substancave në gjak. Me këtë ata e ruajnë përmbajtjen konstante të gjakut (homeostaza). Veshkat e ruajnë ujin e trupit dhe e mbajnë atë në nivel që është i nevojshëm për vijimin normal të funksioneve të organizmit. I mbajnë vlerat normale të natriumit, kaliumit, kalciumit, fosforit dhe mineraleve tjera, që merren me ushqimin e janë të rëndësishme për organizmin. Ata përthithen përmes veshkave në qoftë se janë në tepricë. Urea dhe produktet tjera hedhëse krijohen gjatë shpërbërjes së proteinave, të marra me ushqim (p.sh.mish). Kreatinina është produkt hedhës i muskujve. Produktet hedhëse siç janë urea dhe kreatinina hidhen përmes veshkave. Nëse funksioni i veshkave është i zvogëluar, niveli i tyre në gjak rritet. Niveli i kreatininës në gjak është tregues për funksionin e veshkave. Shumica e produkteve hedhëse janë toksike nëse rritet niveli i tyre në gjak. Veshkat normale marrin pjesë edhe në krijimin e disa hormoneve të rëndësishme. Këta hormone marrin pjesë në rregullimin e tensionit të gjakut, në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut në palcën kockore dhe në përthithjen e kalciumit nga zorrët.

Përgatiti: Jonida Tashi

Të rejat nga shkenca/ Mëngjesi kontrollon peshën trupore

Shkencëtarët amerikanë nga Universiteti Commonwealth i Virginias, kanë pohuar se ushqimi i mëngjesit është faktor shumë i rëndësishëm për humbjen e disa kilogramëve. Duke studiuar 96 femra të trasha për një periudhë kohore prej tetë muajsh, hulumtuesit kanë vërejtur se për ta zvogëluar peshën e tyre, më të prira kanë qenë pjesëmarrëset të cilat gjysmën e kalorive të tyre i kanë konsumuar që në mëngjes. Përkundër kësaj, duket se mungesa e ushqimit në mëngjes nxit më shumë dëshirën për ushqim dhe në këtë mënyrë e rrit peshën trupore.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›