E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vështirë se mund të hartohet Kodi Zgjedhor brenda muajit korrik”

Konstitucionalisti Jaho: Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit, i paargumentuar

Në një intervistë për gazetën “Albania”, konstitucionalisti i njohur Niazi Jaho komenton iniciativat më të fundit ligjore, që kanë të bëjnë me ndryshimin e Rregullores dhe idenë për hartimin e Kodit të Ri Zgjedhor brenda kësaj legjislature kuvendore.
Konstitucionalisti Niazi Jaho e quan të pamotivuar konsensusin e shprehur nga dy partitë e mëdha PS e PD për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit. Gjithashtu Jaho shprehet skeptik edhe angazhimin e tyre për të hartuar Kodin e Ri Zgjedhor brenda kësaj legjislature kuvendore. Sipas tij, është thuajse e pamundur dhe shumë e vështirë që Kodi Zgjedhor të përmirësohet sidomos në ato pika që janë të lidhura ngushtësisht me standardet që duhet të arrijnë proceset zgjedhore në Shqipëri.

Zoti Jaho, para tre ditësh është propozuar ndryshimi i nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, ku bëhet fjalë për pëlqimin që duhet të japë Kuvendi lidhur me dekretet që Presidenti i Republikës i dërgon atij. Do të dëshironim të dinim mendimin tuaj?

Me këtë propozim, jam njohur nëpërmjet shtypit. Jam njohur me propozimet, por jo me argumentet që i bëjnë të nevojshme ato. Ndryshimet në ligje apo në Rregulloren e Kuvendit, siç dihet, duhen motivuar, d.m.th duhet të bëhet e qartë përse duhen bërë këto ndryshime, në ç’kushte dhe ç’rrethana, a ka për këtë ndonjë studim, përgjithësim, a e dikton praktika, e cila është përvoja e vendeve demokratike etj. Nuk mund të mos tërheq vëmendjen fakti se ky propozim bëhet fill mbas rrëzimit të 5 dekreteve të Presidentit të Republikës. Mos vallë mosdhënia e pëlqimit nga Kuvendi për dekretet e Presidentit ishte pasojë e boshllëqeve, pasaktësive apo paqartësive të nenit 111 të Rregullores të Kuvendit? Për këtë nuk thuhet asgjë dhe në fakt nuk është kjo. As në komisionin për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, as në raportin e këtij komisioni dhe as në ndonjë deklaratë apo konferencë shtypi, nuk është kontestuar përmbajtja e nenit 111 të Rregullores, nuk është evidentuar ndonjë paqartësi që vështirësonte procedurën parlamentare lidhur me dhënien ose jo të pëlqimit për dekretet e Presidentit. Përkundrazi edhe para fillimit të procedurës për shqyrtimin e dekreteve maxhoranca, në mënyrë publike, shprehu rezervat dhe mospajtimin e saj, dhe si rrjedhim la të kuptohej se për ato (dekretet) mund të mos jepej pëlqim. Madje u evidentuan edhe shkaqet e këtij mospëlqimi, që ishin: a) Presidenti, nuk ishte konsultuar paraprakisht me Kuvendin, gjë që binte ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të janarit 2005, b) Presidenti nuk kishte parasysh nenin 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, që emërimi duhej bërë pasi të ishte marrë më parë pëlqimi i Kuvendit.
Le të propozojmë për një çast se propozimi për ndryshimin e nenit 111 të Rregullores së Kuvendit do të realizohej. ǒkuptim do të kishte ky ndryshim nëse maxhoranca nuk do të tërhiqej nga kushtet e përmendura më lart? Pa i dhënë përgjigje kësaj pyetje, vështirë të motivohej propozimi për ndryshimin e nenit 111 të Rregullores. Këta ndryshim, mendojmë se do ta bënte edhe më pak të motivuar fakti se Presidenti i Republikës, ndërmori një nismë sa të paparashikueshme aq edhe transparente, gjerësisht këshillimore dhe gjithëpërfshirëse. Kjo nismë, siç është deklaruar, është në përputhje me kompetencat e Presidentit dhe Kuvendit, i pari dekreton, ndërsa i dyti jep ose jo pëlqimin. Këto kompetenca ekskluzive të dy institucioneve kushtetuese janë gjithashtu në përputhje me parimin e ndarjes dhe balancimit midis pushteteve të sanksionuara në nenin 7 të Kushtetutës.

Është propozuar që komisioni për reformën zgjedhore të mblidhet brenda kësaj jave, ndërsa ndryshimet në Kodin Zgjedhor të përfundojnë brenda muajin Korrik. ǒmendim keni për këtë?

Ky propozim, tregon shqetësim. Është konfirmim i faktit se me reformën zgjedhore jemi tepër të vonuar. Shqetësimi është i drejtë dhe nxitës për të reflektuar dhe për të vepruar. E megjithëkëtë nuk krijon bindje se ky propozim mund të realizohet brenda korrikut 2008. Në favor të këtij propozimi mund të përdoreshin deklaratat se parti të caktuara, sidomos dy partitë e mëdha, me specialistët e tyre, kanë përgatitur projekte për ndryshimin në Kodin Zgjedhor. Ky fakt, mund të lehtësonte procesin dhe të shkurtonte afatet, por nuk mund të shmangte debatin dhe kundërshtimet që mund të lindnin gjatë këtij debati.
Bëhet pyetja. Ajo që nuk u bë pas zgjedhjeve parlamentare të Korrikut 2005, dhe zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore të shkurtit 2007, ajo që duhej bërë në tre mandatet e Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, ajo që mund dhe duhej bërë gjatë periudhës Janar-21 Prill 2008m dhe mbi dy muaj nga data e ndryshimeve kushtetuese, si mund të realizohet brenda një muaji?!
Apriori nuk do të ishte mirë që ky propozim të paragjykohej, por nuk do të ishte e drejtë që të shprehej optimizëm i pabazuar.
Qofsha i gabuar, por meqë e njoh këtë fushë, e kam vështirë të pranojë që debati i thelluar dhe i gjithanshëm, lidhur me ndryshimet e kodit zgjedhor (debat politiko-profesional), të përfundojë brenda muajit korrik, përfshirë këtu edhe miratimin e projektligjit përkatës. E them këtë sepse ky afat mund të mos ishte i mjaftueshëm as për diskutimin dhe miratimin e një ligji të zakonshëm, pse jo edhe të disa dispozitave ligjore. Nuk besoj që respektimi i këtij afati të justifikonte normalizimin në aspektin profesional, gjë që do të diskutonte cilësinë. E papranueshme mendoj se do të ishte gjithashtu që për hir të respektimit të këtij afati, në vend të arritjes së konsensusit për të kapërcyer ngërçin e mundshëm të llogaritej paraprakisht numërimi i votave.
Përmirësimet në kodin Zgjedhor do të kërkonin vëmendje të veçantë sidomos lidhur me disa probleme të rëndësishme, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në arritjen e standardeve. Është e kuptueshme se nëse kjo detyrë nuk realizohet brenda muajit korrik, edhe në shtator (ndoshta edhe më tej), do të jemi të angazhuar me këtë problem. Realitetin le ta shikojmë në sy. Nëse “zelli” i motivuar do të justifikonte miratimin e ndryshimeve në kod, brenda muajit korrik 2008, duhet që ndërgjegjja jonë të ishte e qetë se pas kësaj nuk do dilte nevoja e ndryshimeve të tjera gjatë muajve shtator-dhjetor 2008. Në këtë drejtim të mos harrohet përvoja negative e ndryshimeve në kodin zgjedhor në prag të zgjedhjeve.

Po infrastruktura e zgjedhjeve kur duhet të realizohet?

Ky është një problem i veçantë dhe i një rëndësie të veçantë. Ndryshimet në kod dhe infrastruktura zgjedhore janë dy hallka të një zinxhiri të vetëm, pa të cilat nuk mund të garantohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara. Në këtë vështrim mendoj se duhen caktuar afate konkrete, të mbikëqyrura dhe të kontrollueshme si për kodin zgjedhor edhe për infrastrukturën zgjedhore. Kështu për shembull jo vetëm Kuvendi, por edhe zgjedhësit duhet të dinë se cili do të jetë afati i fillimit dhe mbarimit të shpërndarjes së kartave të identitetit.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›