E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vishesh këndshëm me bluza për këtë verë



Merita TOÇILA
Në verën e nxehtë nuk duhet lënë jashtë vëmendjes tuaj edhe veshja e pjesës së sipërme të trupit me bluzat, kanotieret, këmishat e lehta, apo tee-shirt, të cilat i gjeni në një mori stilesh dhe pëlhurash; sipas ngjyrave apo në monokromë, me motive floreale, me vija; sipas prerjeve, në prerje klasike ose më origjinale e te stilizuara, e shumë të tjera. Këtë verë bluzat vijnë në një pafundësi zgjedhjesh. Sipas natyrës dhe karakterit mund të zgjidhni modelin që iu përshtatet me mirë. Ato që shquhen për humorin e tyre, mund të përdorin bluza me motive floreale, të prera nën vijën e gjoksit ose mbi të, me rrudha ose me gufopjete, paksa në stilin folk, të gjata ose të shkurtra mbi vijën e belit; pëlhura që preferohet është pambuku me një përqindje të lehtë poljester. Tipat më klasike, që preferojnë një prerje pa shumë tendenca, mjaft që të jetë një veshje e rregullt, mund t`i shmangin ngjyrat për të qëndruar më mirë te bluzat bezhë ose të kaltra, pa ndonjë model të spikatur ose këmishat me vija në stilin mashkullor. Materiali është ai që spikat me tepër në këto prerje, mëndafshi dhe puplini mbizotëron mbi të gjitha të tjerat.
Për ato që janë origjinale dhe duan t`i provojnë të gjitha tendencat edhe pse ndonjëherë bëjnë zgjedhje të gabuara, këtë verë janë ngjyrat e forta dhe të guximshme; një e verdhë kanarinë, ose tee-shirt me printime ekstravagante me figura të stërmëdha si psh. me syze dielli që kombinohen perfekt me syzet reale, por edhe një model në ngjyrë violet me dekorime diagonale me dantella që mbyllet te mënga e vogël me një fjongo të këndshme. Dhe së fundi, për ato që duan të zhvishen dhe u pëlqen që dielli t`ua shohë lëkurën nga mëngjesi deri në mbrëmje, bluzat bust janë zgjedhja e duhur. Në prerje fare të thjeshta, pa penca pa modele, ato janë gjithmonë një veshje e rehatshme për moshat e reja. Edhe në ngjyrat mund të luhet në varësi të aksesorëve që sa më të rëndë dhe natyrore të jenë, aq më e kompletuar do të duket veshja. Materiali që duhet të përdoret për këto bluza duhet të jetë në shumicën e rasteve strec, në mënyrë që linjat e trupit të jenë të qarta. Të gjitha këto modele mund të shkojnë perfekt me funde të lehtë puplin lino, të prera me rrudha, me pala ose në formë kove, ose dhe me pantallona te shkurtra që janë shumë në modë këtë verë. Pantallonat mund të jenë të ngarkuar me xhepa ose të thjeshta, por jo me shtratin aq të shkurtër sa ç`kanë qenë vitin e kaluar, edhe pse jemi në verë dhe dielli na e lejon. Materiali që përdoret në pantallona është dok i lehtë, në ngjyra të ndryshme, por gjithmonë një ton më i fortë se bluza.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›