E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon operacioni per shuarjen e zjarrit ne Dajt dhe zona te tjera

Forcat dhe mjetet e strukturave të Forcave të Armatosura që janë dislokuar në rajonin e Malit të Dajtit dhe në Qafë-Priskë po vijojnë me intensitet dhe përkushtim të lartë operacionin për parandalimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë këtë zonë.
Nga informacionet që vijnë nga fronti i këtij operacioni një efektiv prej 300 forcash të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, Batalionit Special dhe Batalionit Komando të Forcave Tokësore kanë vepruar në të dy krahët e ish-Kampit të Punëtorëve në Dajt dhe deri tani kanë arritur të shuajnë mbi 60 vatra zjarri.

Një efektiv tjetër prej 150 forcash të kompanisë së tretë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë dhe Batalionit Special, si dhe një skuadër e Batalionit Komando janë aktualsht duke punuar për hapjen e brezave për ndalimin e avancimit të flakëve të zjarrit. Deri tani ata kanë mundur të hapin një brez prej më se 2 kilometra të gjatë dhe me një gjërësi 3 metra në krahun lindor prapa Malit të Dajtit për të penguar afrimin e zjarrit në bllokun e antenave.

Ndërkaq, një grup i Batalionit Special është nisur me helikopter AB-205 në drejtim të Lurës për të kontribuar në shuarjen e zjarrit që ka rënë në Parkun Kombëtar të Lurës. Ndërsa një efektiv tjetër prej 50 vetësh të Batalionit të Këmbësorisë Malore në Vaun e Dejës në Shkodër po punon për shuarjen e zjarreve që kanë rënë në zonën e Pukës.

Po kështu, një efektiv prej 20 forcash dhe një mjet transporti të Detashmentit të Kukësit janë vënë në dispozicion të Emergjencës Civile të qarkut të Kukësit për
shuarjen e zjarrit të rënë në rajonin e komunës Tërthore. Ndërsa një efektiv prej 23 forcash dhe një mjet transporti janë vënë në dispozicion të Emegjencës Civile të qarkut të Korçës për shuarjen e zjarrit që ka rënë në rajonin e Bozdovecit (Qafa e Ujkut).

Gjatë ditës së sotme në operacionin për shuarjen e zjarreve të rënë në të gjithë vendin janë angazhuar 1161 forca, 54 mjete, 2 helikopterë dhe disa autoambulanca të Forcave tona të Armatosura.

Ndërkaq policia e Korçës ka arrestuar autoret e zjarrvënies së ndodhur ditën e sotme ne Malin e Stratoberdhes në Komunën Vithkuq të këtij rrethi.
Almir Hoxha, 38 vjeç dhe Andrea Rushitaj 42 vjeç dyshohen si autorë të zjarrvënies në pjesën e pyllëzuar të Malit Stratoberdhe në vendin e quajtur “Zhiger” . Ata punonin si punëtore në këtë masiv pyjor për lëndë drusore dhe qymyrdruri, ndërsa akuzohen për shkatërrim të pronës me zjarr të kryer në bashkëpunim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›