E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima dhe përleshje të reja në Siri

Në Siri kanë humbur jetën së paku 13 persona, ndërkohë që kryengritësit kanë sulmuar ndërtesën e televizionit shtetëror në Aleppo, ka bërë të ditur agjencia Sana dhe organizatat joqeveritare.

Trembëdhjetë të vrarët përfshijnë një viktimë në Latakia, gjashtë në Deir Ezor dhe gjashtë në rajonin e Damaskut. Luftime të ashpra raportohet të jenë duke vazhduar në lagjet Salahedin dhe Seif el Davel të Aleppos.

Kryengritësit dhe forcat qeveritare ka javë që luftojnë për kontrollin e këtij qyteti.

Vetëm gjatë së premtes, në Siri kanë humbur jetën rreth 100 persona.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar rezolutën, e cila dënon Qeverinë siriane për përdorimin e “armëve të rënda” dhe dështimin e saj për të tërhequr forcat nga zonat civile.

Rusia dhe Kina thonë se rezoluta për Sirnë, e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, minon përpjekjet për paqe në këtë vend.

Rezoluta kritikon edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

E hartuar nga Arabia Saudite, ajo është miratuar të premten me 133 vota për, 12 kundër dhe 31 abstenime.

Rusia dhe Kina, të cilat kanë bllokuar disa përpjekje në Këshillin e Sigurimit për të vendosur sanksione kundër Damaskut, kanë qenë në mesin e vendeve që kanë votuar kundër tekstit. Moska thotë se rezoluta i jep “mbështetje të hapur opozitës së armatosur”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›