E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimat: Jemi thellësisht të zhgënjyer nga letra

Reagimi

Viktimat e abuzimeve seksuale dhe katolikë të tjerë në Irlandë kanë deklaruar menjëherë pas letrës së Papës se ndiheshin thellësisht të zhgënjyer nga letra e Papës duke qenë se ai në të nuk arriti që të fliste për rolin që kanë pasur liderë të lartë të kishës në skandal. “Ne e ndiejmë që letra nuk i është adresuar shqetësimit të viktimave”, ka bërë të ditur një drejtor i një grupi të viktimave. Sipas tij, në letrën e Papës nuk njiheshin përgjegjësitë e Vatikanit dhe të klerikëve të tjerë të lartë për sa ka ndodhur prej vitesh në shumë kisha të Europës. Viktimat janë ankuar edhe nga mungesa e një vizioni të ri për ndryshimin e situatës. Irlandezët duan që shefat e lartë të kishës të mbajnë përgjegjësitë që u takojnë dhe pasojat e veprimeve të tyre. Partia kryesore e opozitës irlandeze, Fine Gael, kritikoi Vatikanin për ndërhyrjen në të shkuarën në punët e brendshme të Irlandës dhe në mbajtjen e fshehtë të shumë krimeve. “Nuk duhet kurrë në të ardhmen që të tolerojmë që shtete të huaja të na japin direktiva se çfarë duhet të bëjmë”, ka deklaruar një deputet i partisë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›