E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimat e Gërdecit, mijëra qytetarë në shesh

 
Opozita dhe mijera qytetarë marshuan dje në heshtje në nderim të viktimave
 
TIRANË- Vdekja shkakton dhimbje! E kjo, për shqiptarët ka qenë gjithmonë e madhe. Por akoma më e madhe bëhet dhimbja kur vdekja nuk vjen nga zoti por nga dora e njeriut. Të bindur se tragjedia e ndodhur një javë më parë në Gërdec erdhi pikërisht si pasojë e mosefiçencës së qeverisjes, mijëra qytetarë pavarësisht përkatësisë politike janë bashkuar dje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të shprehur dhimbjen e tyre për jetët e humbura, por njëkohësisht edhe për të protestuar ndaj mungesës së sigurisë së jetës në vend.
Marshimi i heshtur
Në mënyrë tepër civile disa mijëra qytetarë të angazhuar dhe jo në politikë (intelektual, pensioniste, gra, paraplegjikë dhe fëmijë), i janë përgjigjur dje thirrjes së opozitës për t'iu bashkuar protestës-homazh të emërtuar si "Marshimi i Heshtjes" në nder të kujtimit të gjithë viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Marshimi ashtu siç ishte programuar ka nisur në sheshin "Skënderbej", ku liderët e opozitës Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Neritan Ceka, pavarësisht dallimeve të kohëve të fundit për çështjet të ndryshme politike kanë shtrënguar duart, si për të treguar se përpara dhimbjes hatërmbejtja politike nuk ka vlerë. Ndryshe nga protestat e tjera marshimi i djeshëm ka qenë i heshtur dhe nuk ka pasur as flamuj politikë, dhe as slogane, me përjashtim të ndonjë momenti të veçantë ku qytetarë të ndryshëm, fytyrat e të cilëve shprehnin qartë lodhjen nga barra e rëndë e qeverisjes, nuk kanë nguruar të shprehin urrejtjen e tyre ndaj qeverisë, duke bërë thirrje për rrëzimin e kryeministrit Sali Berisha.
Revolta qytetare
Qytetarët kanë shprehur hapur mllefin e tyre ndaj asaj që ata shpesh gjatë marshimit të djeshëm e kanë konsideruar si keqqeverisje të Sali Berishës. Të surprizuar për pjesëmarrjen e madhe në këtë marshim-proteste, qytetarë të ndryshëm nuk kanë nguruar të shprehen me bindje se ditët e qeverisjes së djathtë janë të numëruara. "Shqiptarët janë të lodhur, Berishës i ka ardhur fundi", u shpreh një qytetar i papunë, ndërkohë që një pensioniste duke shprehur dhimbjen për viktimat e tragjedisë së një jave më parë, ka theksuar se shpëtimi i këtij populli është vetëm largimi i kryeministrit. Pasi ka parakaluar përpara Ministrisë Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme turma e qytetarëve i është drejtuar bulevardit kryesor të kryeqytetit për tu ndaluar për të protestuar përpara kryeministrisë, ku krerët e opozitës dhe qytetarë të ndryshëm kanë vendosur qirinj dhe kanë mbajtur një minutë heshtje në respekt të kujtimit të viktimave të kësaj katastrofe jo natyrore. Ndërkohë që të rinjtë e forumeve rinore të partive opozitare kanë vendosur në kangjellat rrethuese të kryeministrisë dy banderola të mëdha ku shkruhej: "Nënpunësi Sali Berisha në emër të popullit je i pushuar nga puna" dhe "Ne nuk e njohim këtë qeveri, ajo nuk na jep siguri". Më pas marshimi ka vijuar drejt pjesës së mbetur të bulevardit, duke parakaluar përpara presidencës dhe për të përfunduar në sheshin "Nene Tereza".
 
Kryetari i PS-së tha se Berisha s'mund tu garantojë shqiptarëve sigurinë e jetës në vendin e tyre
Pas marshimit, Rama: Berisha të dorëhiqet
TIRANË- Mbështetja e madhe që qytetarët i dhanë protestës-homazh për viktimat e tragjedisë së Gërdecit ka forcuar edhe më shumë bindjen tek opozita se largimi i kryeministrit Sali Berisha mbetet e vetmja alternativë për ti dhënë fund ekzistencës së shtetit joligjor. Vetëm pak çaste pas përfundimit të "Marshimit të Heshtjes" kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama duke falenderuar sëpari qytetarët që morën pjesë në të, ka ripërsëritur edhe një herë kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Berisha. "Dua të përulem me respekt përpara atyre dhjetëra mijëra qytetarëve dhe qytetareve, që dëshmuan në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", dinjitetin e një qytetarie të re, e një vetëdije të re, e një solidariteti të ri, duke manifestuar në heshtje dhimbjen dhe indinjatën e miliona e miliona shqiptare e shqiptarëve, për tragjedinë e tmerrshme të Gërdecit", - tha Rama. Ai nuk ka nguruar që të shprehë dhe kënaqësinë për mbështetjen e madhe që qytetarët i dhanë kësaj proteste të heshtur, duke e cilësuar atë si një manifestim unikal të solidaritetit njerëzor ndaj të prekurve nga kjo tragjedi. "Pikërisht në emër të atyre dhjetëra mijërave të heshturve të bulevardit Dëshmorët e Kombit e të milionave shqiptareve e shqiptarëve të hidhëruar, të indinjuar, e të turpëruar nga qeveria e tyre e papërgjegjshme, e paaftë dhe e korruptuar gjer në palcë, po i drejtohem kryeministrit të vendit me kërkesën, që të dorëhiqet dhe të dorëzojë imunitetin e tij për t'i hapur rrugë një hetimi të plotë, e të drejtë, e të pa ndikuar nga pozicioni i tij aktual në rast se ka një fije respekt për ata që humbën jetën", - tha Rama. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të dorëhiqet, pasi nuk ka siguruar dhe nuk mund tu garantojë shqiptarëve sigurinë e jetës në vendin e tyre. Tragjedia e Gërdecit, sipas Ramës, tregoi jo vetëm mungesën e garancisë së qeverisë për jetën e njerëzve, por nxori në dritë dhe një aferë të tërë korruptive për trafikimin e armëve nga pushtetarët e sotëm. "E pra kërkesa për dorëheqje dhe e hetimit të kryeministrit tonë, të papërgjegjshëm, të paaftë, të korruptuar deri aty ku nuk mund të përfytyrohet, vjen pikërisht nga kjo opozitë, nga opozita qytetare, e qytetarëve të bashkuar, jo nën flamujt partiak, po në bindjen se ka ardhur dita për një politikë të jetës së sigurt, e të punës së ndershme, të cilat ky kryeministër jo vetëm nuk i garanton dot, por i kërcënon me praninë e tij në atë karrige, që është karrigia e popullit shqiptar dhe e askujt në mënyrë të përveçme", - theksoi kryesocialisti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›