"Ju kërkoj të falur prindërve; iu përgjërova të votonin Berishën"
Tragjedia e Gërdecit përveç dhimbjes që iu shkaktoi gjithë shqiptarëve të ndershëm e të mirë, tashmë ka marrë përmasa edhe më të mëdha. Procesi i çmontimit të municioneve që zhvillohej në Gërdec ishte fund e krye një aferë korruptive shtetërore në hallkat me të larta të saj. Për rreth dy vjet, kjo makutëri dhe krim barbar është bërë nën hundën e qeverisë dhe të gjithë shqiptareve, është bërë pranë një zone të populluar, janë shkelur me të dyja këmbët ligjet dhe është abuzuar në mënyrën më kafshërore me dinjitetin e njerëzve duke punësuar në atë punishte, fëmijë dhe gra, që të gjithë halleshumë, për të nxjerrë bukën e gojës. Implikimi në këtë aferë të pise korrupsioni të zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes (të paktën deri tani), ka përdhosur rëndë nderin dhe dinjitetin edhe të Ushtrisë Shqiptare. Nëse deri me sot ushtria jonë, nga ushtaraku më i thjeshtë deri tek krerët më të lartë kanë qenë ndër zyrtarët më pak të përfolur për korrupsion dhe me të drejtë gëzonin një besim dhe simpati të madhe nga qytetarët, kjo gjë s´mund të thuhet tani e tutje. Nderi i Ushtrisë Shqiptare tashmë është groposur thellë në Gërdec dhe i mbuluar nga hiri që lanë predhat. Nuk e di nëse përgjegjësia e tyre është apo jo direkte, por ushtarakët më të larte të Ministrisë natyrisht që kanë qenë në dijeni të kësaj punishteje dhe në mos e kanë miratuar atë, kanë heshtur deri ditën që shpërthimi i zgjoi nga gjumi. Nuk e di nëse në gjumë i ka vënë frika ndaj eprorit apo ndonjë grusht parash. Nevoja për reformim e ushtrisë shqiptare, tashmë është urgjente pas llumit në të cilin e zhyti grykësia qeveritare për para. Por nderin nuk mund t´ia kthejë as Kryeministri dhe as ministri që do të vijë. Dëgjova dje me pikëllim deklaratën mjerane të Kryeministrit, që thoshte se "është njësoj si të ketë firmosur Delijorgji", "Pinari nuk duhej të ishte në atë pozicion". Kjo është për të vënë kujën. Ky kryeministër tashmë nuk ka as burrërinë dhe as pikën e turpit. Ai Pinari jo vetëm që nuk duhej të ishte në atë Drejtori, por në asnjë drejtori të këtij vendi të vogël. Ai nuk duhej të ishte në asnjë administratë, përveçse në qelitë e burgut. Dhe Kryeministri bën sehir! Bën sehir kur sheh që veprimtaria korruptive e shtetit vret njerëzit e pafajshëm, shkatërron shtëpi dhe biznese, shkatërron çdo besim tek shteti, i cili në vend që t'i mbrojë, i vret. Por ju jeni veç disa bajraktarë të pushtetit, ca lakenj, që shqyeni çdo gjë t'ju dalë para, ku për para e ku për pushtet. Nuk di kujt mund t´i kërkoj të falur dhe ndjesë për votën që ju kam dhënë më 3 korrik 2005, dhe jo vetëm timen. Ju kërkoj të falur prindërve të mi, të cilëve iu përgjërova të votonin Sali Berishën, për të luftuar korrupsionin dhe varfërinë e shqiptarëve. Ju Kryeministër jo vetëm që korrupsionin e ushtroni për bukuri sikundër dhe demagogjinë tuaj, por e kthyet këtë vend në një bajrak tuajin. Po tani me se do e luftoni korrupsionin, se armët dhe municionet ua shitet Delijorgjëve?! Jepni apo nuk jepni dorëheqje Ju, z.Kryeministër kjo as nuk ju nderon më dhe ata që humbën jetën, nuk ngjallen më. Sa për mua, do më qeverisni edhe ca kohë sepse ju votova Ju dhe ta dini që është hera e fundit që e bej.