E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Topi: Të gjenden fajtorët

Institucioni i Prokurorisë duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë shumë të pavarur"Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme"TIRANË –Presidenti Bamir Topi ka kërkuar dje nxjerrjen e fajtorëve dhe përgjegjësve të tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec, në afërsi të Vorës, duke theksuar se nuk mund të justifikohet askush, duke thënë se firma që bënte zbërthimin e municioneve ishte një firmë private. Presidenti ka mbledhur dje Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku me tone të ashpra ka kritikuar strukturat e shtetit, si SHIU-n, SHISH-in apo Forcat e Armatosura, lidhur me faktin se nuk kanë qenë të informuara mbi atë çfarë ndodhte në Fabrikën e Municioneve në Gërdec. Ndaj, Presidenti ka kërkuar një hetim serioz dhe transparent për zbardhjen e ngjarjes, nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe për këtë i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë në mënyrë të pavarur dhe profesionale. "Tragjedia e Gërdecit, nuk mund të mbetet jetime. Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra. Kërkohet që institucionet e pavarura të hetimit, të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit, për nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe ndëshkimin e tyre. Institucioni i Prokurorisë duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale",- tha Presidenti. Në praninë e anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndër ta kryeministri Berisha dhe ministri i Mbrojtjes, Mediu, presidenti Topi ka thënë se nuk mund të tolerohet askush, që të justifikohet duke thënë se firma që operonte në Gërdec ishte private. Mjaft të rëndë, Presidenti ka konsideruar edhe faktin se, strukturat e specializuara të shtetit kanë deklaruar se nuk kishin dijeni mbi atë çfarë ndodhte në terren. "E kam fjalën për SHIU-n, SHISH-in, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, shërbimet e Autoritetit Fiskal, ato të Punës dhe të autoriteteve monitoruese të Shëndetit Paraprak, prej te cilave nuk ka pasur as edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec. Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostradës kryesore të vendit",- tha Presidenti. Kreu i shtetit u ka kujtuar anëtarëve të KSK se, vendi ndodhet shumë pranë anëtarësimit në NATO dhe "do të ishte e pafalshme që procesi i integrimit Euroatlantik të komprometohej nga papërgjegjshmëria apo veprimtaria e paligjshme e ndonjë individi, apo të ndonjë zyrtari të korruptuar". Në fjalën e tij, Presidenti ka thënë se dalja nga gjendja e emergjencës duhet të shoqërohet me masa të jashtëzakonshme për rikthimin e normalitetit dhe për këtë nevojiten plane të mirëfillta afatmesme dhe afatgjata, me karakter ekonomik dhe social të ndërtuara nga qeveria. Sipas Presidentit, këto plane duhet të kenë një implementim të drejtpërdrejtë në jetën e atyre qytetarëve dhe familjeve, të cilave iu dëmtuan shtëpitë dhe për këtë duhet një koordinim i mirëfilltë i të gjitha strukturave të shtetit, përfshi dhe ato vendore.
 
Institucionet përgjegjëse, sipas Topit
Shërbimi Informativ Shtetëror
Shërbimi Informativ Ushtarak
Forcat e Armatosura
Policia e Shtetit
Shërbimet e Autoritetit Fiskal, Punës dhe të Shëndetit Paraprak
Masat e kërkuara dje nga Presidenti i Republikës:
MM dhe FASH, duhet të paraqesin rrugëdaljen e mundshme dhe efikase nga kjo gjendje problematike me armatimet dhe municionet.
Kërkoj që me transparencë të nxjerrim përfundimet e duhura, në lidhje me punën që institucionet dhe agjencitë e specializuara në vend nuk e kanë kryer.
Kërkoj me përgjegjshmëri të lartë dhe qartësi nga autoritetet që po merren me kërkimin e të humburve, t'i gjejnë ata.
I propozoj MB, të shohë mundësinë e ngritjes së një Drejtorie të Përgjithshme të Mbrojtjes Civile.
Krijimi i një Qendre Operative të Emergjencave Civile do të kontribuonte në rritjen e efikasitetit të menaxhimit të krizave.
Duhet të marrë fund njëherë e mirë puna e zezë në vend, në mënyrë të veçantë në aktivitete kaq delikate.
Duhet të zhdëmtojmë ekonomikisht viktimat e tragjedisë dhe familjet e tyre. Gjithashtu duhet të punohet për sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme të vënë nga aventurierë, të cilët mendojnë se janë më të fortë nga ligji dhe shteti.
Një përfaqësi e PR-së i thotë Berishës se s'kërkojnë ministër sa të hetohet ngjarja
Kryesia e PR: Republikanët, jo në nivel ministror
TIRANË- Republikanët kanë vendosur të mos përfaqësohen në qeveri me post ministror derisa të zbardhet ngjarja e shpërthimeve në Gërdec. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Partisë Republikane dhe është propozuar nga Presidenti i Nderit i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo. Në mbledhjen e djeshme të zhvilluar në mesditë, Kryesia e PR-së ka marrë në shqyrtim dhe analizë situatën pas ngjarjes së rëndë të Gërdecit, si pasojë e së cilës dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes, kreu i PR-së, Fatmir Mediu. Pas kësaj, anëtarët e Kryesisë së republikanëve kanë mbështetur propozimin e Godos, sipas të cilit, PR-ja nuk do jetë e pranishme në qeverinë "Berisha" me ministrin e saj, deri në qartësimin e situatës për shkak të shpërthimeve të Gërdecit dhe sqarimin e pozicionit të Mediut lidhur me këtë çështje. Këtë vendim të Kryesisë së tyre, republikanët ia kanë bërë të ditur dje edhe kryeministrit Sali Berisha. Pas mbledhjes, një përfaqësi në përbërje të së cilës ishin kryetari Fatmir Mediu, Sabri Godo dhe Arjan Madhi, janë takuar me Kryeministrin në zyrën e tij, rreth orës 15:30. Ata kanë informuar Berishën lidhur me vendimin e marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë, ndërsa kreu i qeverisë ka shprehur mirëkuptimin e tij. "Unë thashë që ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij koalicioni me përfaqësinë që kemi në qeveri në nivel zv/ministrash dhe pastaj në tërë administratën shtetërore. Do t'ia lëmë kohës të zbardhet njëherë kjo që ka ndodhur, të dalë se të kujt janë përgjegjësitë dhe mbi ç'shkallë rëndojnë mbi secilin, dhe vetëm atëherë mund të rikthehemi në qeveri, doemos, me kushtet tona",- tha Godo pas takimit me Berishën. Një tjetër vendim i marrë dje nga republikanët ka qenë dhe qëndrimi i tyre në radhët e mazhorancës, duke votuar pro nismave të qeverisë. Aktualisht, PR-ja përfaqësohet në qeveri me dy zëvendësministra, sipas marrëveshjes së nënshkruar me PD-në pas zgjedhjeve të vitit 2005.
Tragjedia, Bush letër Topit
TIRANË- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W.Bush i ka dërguar dje një mesazh Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, me anë të së cilës shpreh ngushëllimet e tij për ngjarjen tragjike të Gërdecit dhe solidaritetin e qeverisë dhe mbarë popullit amerikan. Po në këtë mesazh, presidenti Bush vlerëson vendosmërinë e vendit tonë për të zhdukur municionet e tepërta të rrezikshme dhe thotë se, shumë pak vende mund të krahasohen me arritjet e Shqipërisë. "Vendosmëria e Shqipërisë për të zhdukur municionet e tepërta të rrezikshme është për t'u lavdëruar dhe shumë pak vende mund të krahasohen me arritjet e saj. Incidenti i Gërdecit na tregoi se sa jetësor është për Shqipërinë dhe bashkësinë ndërkombëtare të qenit të përkushtuar ndaj programeve, të cilat në mënyrë të parrezikshme e eliminojnë këtë rrezik ndaj sigurisë publike. Mbështetja dhe vendosmëria juaj vlerësohen shumë",- thuhet ne mesazhin e presidentit Bush. Ndër të tjera, në këtë mesazh Presidenti amerikan thotë se, mendimet dhe lutjet e tij janë për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe për popullin shqiptar gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Për herë të parë, Kryeministri bën përgjegjës për situatën edhe Ministrinë e Mbrojtjes
Gërdeci, Berisha: Dështuam fort!
"Parandalimi i këtij dështimi kërkon reforma shumë të thella, ndryshe do na rikthehen"
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka pranuar dje, për herë të parë, se ngjarja në Gërdec dëshmoi dështim të disa institucioneve shtetërore, si Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, SHISH, SHIU, Prokuroria apo institucionet tatimore. "Dështim është në Ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm, në dy Shërbimet, në institucionet e tjera të Tatimeve, të Inspektimit, në shtrimin e informacionit, në sistemin e Prokurorisë, sepse ju e keni të qartë se Delijorgji kishte procese, por nuk i hynte ferra në këmbë",- tha Kryeministri, duke paralajmëruar reforma të thella, që të garantojnë mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla si ajo e Gërdecit. Kjo, sipas Berishës, për faktin se asgjë nuk ka ardhur nga mungesa e ligjit, por nga mosrespektimi dhe zbatimi i ligjeve. "Sistemi duhet të funksionojë edhe mbi bazën e bashkëpunimit dhe të kontrolleve të dyfishta e të shumëfishta. Sistemi duhet të funksionojë në një mënyrë të atillë, që kjo situatë të mos përsëritet më. Çështjet e sigurisë, janë çështjet e para për çdo njeri, për çdo qytetar e çdo jetë. Atëherë, gjykoj se janë vetëm reformat shumë të thella të bashkëveprimit, bashkërendimit e koordinimit të veprimtarisë së institucioneve, ato të cilat do të garantojnë integritet të plotë të sistemit të sigurimit të vendit",- tha Berisha. I pyetur nga mediat nëse këto reforma do t'i bëjë me të njëjtin kabinet, Berisha nuk ka thënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, por ka pohuar se parandalimi i dështimeve si ai i Gërdecit kërkon reforma të thella, duke nënkuptuar ndryshime në qeveri. "Unë marr për bazë dy gjëra. Nuk them kush e ndezi zjarrin, por disa gjëra i them, se ka pasur një dështim të fortë të një numri të konsiderueshëm institucionesh. Parandalimi i këtij dështimi kërkon reforma shumë të thella, përndryshe, ju siguroj, do të mund të na rikthehen, dhe kjo është më e keqja",- theksoi ai. Berisha shprehu përkushtimin e tij për një sistem reformash të thella, duke kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive personave të cilitdo dhe shprehu besimin e mbështetjen e Prokurorisë për punën e saj të pavarur. Madje, Kryeministri tha se mbetet i hapur për të bashkëpunuar ngushtësisht me opozitën, duke qenë se një pjesë e reformave e kërkojnë këtë bashkëpunim. "Do të mbetem i hapur të bashkëpunoj ngushtësisht me opozitën, sikundër ne jemi një vend i lirë dhe opozita të bëjë përzgjedhjen e saj. Në qoftë se opozita do të vendoste një kontakt të ngushtë me zonën dhe ju jeni në kontakt të ngushtë me banorët e saj, do të kuptonit se kërkesa absolute e tyre është rindërtimi i zonës së tyre, është kontributi i gjithanshëm, që të shërohen sa më shpjet. Kjo nuk mjafton, janë të domosdoshme reforma të thella, që këto të mos ndodhin",- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›