E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndërtimi i rrugës që lidh Matin me Dibrën

Pasi ka përuruar shtatoren e Ahmet Zogut në qendër të qytetit të Burrelit, Kryeministri Berisha ka prerë dje shiritin e fillimit të punimeve në segmentin rrugor që lidh Urën e Matit me fshatin Muhurr të Peshkopisë. Faza e parë e punimeve të kësaj rruge do shtrihet në një distancë prej 6 kilometrash nga Ura e Matit dhe do ketë vlerën prej 56.2 milionë lekësh. Ndërsa e gjithë gjatësia e rrugës do të jetë 48 kilometra dhe gjerësia e pjesës së asfaltuar 6 metra. Përveç autoriteteve lokale, morën pjesë në këtë inaugurim edhe deputetët demokratë të sapozgjedhur në Qarkun e Dibrës, Selami Xhepa dhe Bedri Hoxha, si edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Kryeministri Berisha tha se "po nisim festën e fitores së zgjedhjeve parlamentare me inaugurimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge që do të bashkojë Matin me Dibrën, duke ndihmuar banorët për të dalë në treg me prodhimet e tyre". Sipas Berishës, shqiptarët votuan më 28 qershor për Matin europian, për Shqipërinë europiane dhe këtu nuk ka të humbur përveç atyre që s‘kanë asnjë interes kombëtar, social e familjar. "Ju garantoj se me ta do të merret ligji. Ata shfaqën një armiqësi të hapur me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, korridorit kombëtar, ata do të ngrihen nesër edhe kundër ndërtimit të Rrugës së Arbrit, por ne do ta ndërtojmë atë, madje shumë shpejt. Do ndërtojmë edhe rrugën Burrel-Rrëshen e çdo rrugë fshati që kemi premtuar gjatë fushatës elektorale", deklaroi Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›