E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmet Zogu "kthehet" në vendlindje

Ahmet Zogu është kthyer dje në Mat, në vendlindjen e tij. Debatet për vendin ku do të ngrihej shtatorja e Mbretit në qytetin e Burrelit, kanë vazhduar për më tepër se një vit. Fillimisht këshilli bashkiak mori vendimin që ajo të vihej në vend të bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por kjo u kundërshtua nga intelektualët dhe veteranët e Burrelit, gjë që detyroi këshillin që të tërhiqet nga ky vendim, ku sipas një vendimi të dytë të marrë prej saj, me shumicë votash u ra dakord që shtatorja të vendosej në sheshin "Demokracia".

Por, edhe ky vendim i dytë i këshillit bashkiak nuk gjeti zbatim të menjëhershëm, pasi vendosja e shtatores përkonte me fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe sipas demokratëve, sheshi që shërbente për mitingje duhej lënë pa shtatoren e Mbretit Zog, për të shmangur ndikimin në rrjedhjen e votave të demokratëve drejt Partisë Lëvizja e Legalitetit.

Kështu, me mbarimin e zgjedhjeve dhe konkretisht në ditën e djeshme, qindra banorë të Burrelit dhe rrethit të Matit kanë marrë pjesën në përurimin e shtatores së Mbretit, vendosur në sheshin demokracia të këtij qyteti.

Shtatorja, vepër e skulptorit Maksim Shurdhi, sponsorizuar nga biznesmeni matjan Isuf Neli, është vendosur në një bazament me lartësi 1.5 metra dhe është e lartë 3.7 metra. Në këtë përurim mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, mëtonjësi i fronit, Leka i Parë, si edhe përfaqësues të Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe të afërm të familjes mbretërore.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e ka vlerësuar tepër lart figurën e Mbretit, duke e cilësuar atë si njeriu që themeloi shtetin e parë demokratik shqiptar. "Pas shtatores që ne po përurojmë, tha Kryeministri, qëndron një histori e madhe shqiptare dhe historia do të jetë ajo që do të ridimensionojë figurën e tij të madhe. Nëse pavarësia u shpall në Vlorë, shteti i parë modern shqiptar nisi këtu në Mat", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "ekzistenca e Shqipërisë ishte vënë në pikëpyetje, edhe pse ishte shpallur pavarësia, por Ahmet Zogu me vizionin e tij të pashoq ia doli që të ndërtonte shtetin e parë shqiptar, mbi standarde bashkëkohore të avancuara". Berisha tha se Ahmet Zogu ishte ai që organizoi nëpërmjet Abaz Kupit rezistencën antifashiste dhe pas lufte ishte i vetmi Mbret që nuk iu lejua të kthehej në atdhe, pjesë kjo e komplotit jugosllav, për t‘i mbajtur të ndara trojet shqiptare. "Mbreti, deri kur dha jetë, tha më tej Kryeministri, nuk i rreshti përpjekjet për të çliruar Shqipërinë nga klika hoxhiste. Ju garantoj, tha Kryeministri Berisha, se qeveria ime ushqen dhe do të ushqejë edhe në të ardhmen respektin më të madh për Mbretin Ahmet Zogu i Parë". Përshëndetën me këtë rast edhe kryetari i Bashkisë së Burrelit, Skënder Lleshi dhe Leka Zogu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›