E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet projekti për "Korçën e re"

Gjermanët kanë fituar projektin për masterplanin e qytetit të Korçës. Studioja e projektimit "Bolles & Wilson" ka fituar dje konkursin ndërkombëtar, të organizuar nga prefektura. Mes projekteve të paraqitura nga katër studio të tjera që vinin prej Gjermanisë, Portugalisë, Belgjikës dhe Holandës, ai i paraqitur nga gjermanët për ndryshimin arkitekturor dhe urban të qytetit juglindor, është vlerësuar si më i miri nga paneli i komisionit të përzgjedhjes.

Studioja gjermane ka sjellë një ide për transformimin e qytetit, duke gërshetuar ndërtesat e vjetra me ato të reja, të natyrës moderne. Projekti ka konceptuar përfshirjen dhe zgjerimin e sheshit të katedrales, duke i dhënë më shumë mundësi për aktivitete sociale, kulturore e argëtuese, zonën për këmbësorë, shtim të sipërfaqeve të gjelbra, por edhe një kompleks miks ndërtesash.

Në projektin fitues, një vend i veçantë i është kushtuar standardizimit të rrugëve, duke çuar në shtimin e hapësirave publike, zgjerimin e sheshit të katedrales, një kompleks tregtar në sheshin para teatrit "Çajupi". Mes të tjerash është parashikuar një zonë te bulevardi "Shën Gjergji" e rezervuar vetëm për këmbësorët.

Por, ajo që ka qenë prioritet në idetë gjermane ka qenë dyfishimi i sipërfaqeve të gjelbra. Kështu është parashikuar zgjerimi i lulishtes "Vangjush Mio", si edhe hapësira të gjelbra në të gjithë zonat kryesore të qytetit.

Nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe ndërthurja e modernes me të vjetrën. Kështu, në këtë projekt është vendosur të ndërtohet një rrugë, që sipas arkitektëve dhe specialistëve korçarë, do të rikthejë modelin e njërës prej rrugëve të vjetra të viteve ‘30 në qytet. Veç kësaj, sipas përfaqësuesit gjerman të këtij projekti nga studioja "Bolles & Wilson", kanë propozuar një bllok ndërtimi miks, me vila të vjetra të stilit karakteristik urban të Korçës me një lartësi trekatëshe, si edhe ndërtesa të reja që e kalojnë këtë lartësi.

Nga katër projektet e paraqitura në këtë konkurs, një juri ndërkombëtare me specialistë dhe arkitektë ka vlerësuar projektin gjerman të masterplanit si më cilësorin dhe më të përshtatshmin për t‘u zbatuar në qytetin e Korçës.

Tashmë, pas kalimit të fazës së parë, ky projekt do të diskutohet në mënyrë të detajuar. Sipas kryetarit të bashkisë, Niko Peleshi, do të negociohet kontrata me studion fituese, ku për tre muaj do të detajohet projekti, i cili më pas do të jetë gati për t‘i kaluar më tej KRRTSH-së për miratim dhe nisjen e zbatimit të tij konkret në qytet.

Studioja gjermane "Bolles & Wilson" është shpallur fituese mes katër studiove të tjera prestigjioze, ndërkohë që studioja "Joubert Architecture", e cila është vlerësuar me çmimin e publikut dhe është renditur e dyta në këtë konkurs ndërkombëtar, do të bashkëpunojë në vijimësi për projekte të tjera në qytetin e Korçës.

Konkursi

Të veçantat e katër studiove në garë

Në fazën përmbyllëse të konkurrimit ndërkombëtar për masterplanin e qytetit të Korçës u paraqitën katër studio projektimi, përkatësisht nga Belgjika studioja "51N4E", nga Portugalia studioja "Domus Concept", Gjermania me studion "Bolles & Wilson" dhe Holanda me studion e projektimit "Joubert Architecture".

Kjo e fundit ka përfshirë në studim krahas zonës këmbësore, shëtitores, kompleksit të ndërtesave të reja, hapësirave të gjelbra edhe kënde lojërash për fëmijë, si dhe një qendër tregtare në sheshin e qytetit me një sipërfaqe ujore të ngjashme me një liqen artificial. Studioja holandeze ka marrë edhe çmimin e publikut, duke u konsideruar si më e mira dhe do të vijojë bashkëpunimin me bashkinë e qytetit.

Studioja belge ka sjellë një koncept të ri, ku ka paraqitur një ndryshim të shesheve e lulishteve dhe zëvendësimin e tyre me njëra-tjetrën. Kështu, sipas projektit të studios belge, sheshi i katedrales parashikohej të kthehej në lulishte, ndërsa lulishtja "Vangjush Mio" në shesh dhe shëtitore.

Studioja portugeze "Domus Concept" ka sjellë një projekt, ku më i vlerësuar ka qenë koncepti i një kompleksi ndërtimesh në formë trekëndëshi me gjelbërim në mes. Ky kompleks ndërtimesh ka pasur një ide transformuese me një mbulim të valëzuar të godinave dhe gjelbërim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›