Shkon si mik, mbytet në Shkumbin 18-vjeçari
Ka shkuar si mik në qytetin e Cërrikut, por ka humbur jetën në lumin e Shkumbinit. Ky ka qenë fati i një 18-vjeçari nga qyteti i Lushnjës, që kishte ardhur për pushime te disa të afërm të tij. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 te vendi i quajtur "Ura e Zezë", pranë qendrës së Komunës së Paprit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit. I njëjti burim konfirmon se pasditen e djeshme është mbytur në lumin Shkumbin 18-vjeçari Ervis Prendi, banor i qytetit të Lushnjës. Mësohet se adoleshenti kishte ardhur për pushime te të afërmit e tij në qytetin e Cërrikut dhe bashkë me shokët e tij kishin zgjedhur që paraditen e djeshme ta kalonin pranë brigjeve të lumit Shkumbin. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se Prendi i është drejtuar lumit me shokët e tij, pasi kishte pirë në një nga lokalet e këtij qyteti. I riu ka tentuar të hidhet me kokë në ujë dhe ka përplasur kokën në shtratin e lumit, të përbërë prej zhavorri dhe gurësh të mëdhenj. Shokët e tij, kur kanë parë se ai nuk po dilte në sipërfaqe, kanë notuar drejt tij, por pa mundur të gjejnë ndonjë shenjë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, sapo është sinjalizuar, dhe ka nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e trupit të 18-vjeçarit. Deri në orët e vona të mbrëmjes aksioni i policisë nuk ka dhënë rezultat dhe nuk është bërë e mundur gjetja e Prendit. Kërkimet për trupin, si dhe hetimet rreth ngjarjes, vazhdojnë.