Vila me dy porta, një rrëfim mbi iluzionin e lumturisë
Vila me dy porta quhet romani i Vera Bekteshit, ku autorja na sjell një roman dokumentar apo rrëfimin e jetës së saj në një periudhë tronditjesh të forta, që shkojnë nga rinia e parë, goditja e Fshesës së Hekurt në vitin 1974, kalvari i internimeve e deri në vitet pas kthimit të lirisë.
Lexuesi shqiptar ka pasur deri tani në dorë një numër veprash, që përshkruajnë ferrin e burgjeve dhe internimeve nën diktaturën komuniste kujtojmë ndër më të shquarat Rrno vetëm për me tregue të Zef Pllumit, Ridënimin e Fatos Lubonjës ose Grabiani rrëzë kodrave i Lekë Tasit. Vila me dy porta sjell një këndvështrim tjetër për të njëjtën periudhë: këndvështrimin e njeriut që u lind dhe u rrit në iluzionin e lumturisë dhe paqes si fëmijë e nomenklaturës së Bllokut, dhe pastaj një ditë sheh se si shembet krejt ngrehina e kësaj lumturie, mashtruese, sepse revolucioni ha bijtë e tij. Paranoja e diktatorit, spastrimet e furishme që ranë mbi pjesën më të madhe të kuadrove të socializmit, sidomos mbi oficerët e lartë të ushtrisë në vitet 1974-1975, janë kapitulli i parë i dramës por edhe i kthimit të personazhit kryesor në realitet. Ato që vijnë më mbas janë mbijetesë. Veç jo në kushte egërsie, por të një këmbënguljeje dhe solidariteti, të një dashurie dhe vetironie që të bën ti duash shumë nga personazhet e këtij libri. Romani do ti paraqitet publikut më datë 25 qershor nga shtëpia botuese k&b.