Vilat në bregdet, Alibeaj: Ndërtimet e reja, me pëlqimin e banorëve
Asnjë ndërtim i ri në fshatrat turistike nuk do të ndërtohet pa pëlqimin e komunitetit të zonave. Kuvendi miratoi dje me 73 vota pro projektligjin për ndërtimet pa kritere në fshatrat turistike. Deputeti i Partisë Demokratike dhe relatori i nismës ligjore, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se tashmë poseduesit e këtyre ndërtimeve në fshatrat turistike do të gëzojnë të drejtën ligjore për ndërtimet e tyre, por në të njëjtën kohë, trualli do të jetë në bashkëpronësi të të gjithë komunitetit. Alibeaj tha se në këtë mënyrë do të ndalohen ndërtimet në këto zona, pasi për një ndërtim të ri duhet të bien dakord të gjithë banorët e fshatit turistik. “Me anë të këtij projektligji bëhet që të kalojnë në pronësi të subjekteve që posedojnë këto ndërtime në bazë të kontratave. Kjo pronë është në bashkëpronësi të pandashme për të gjithë komunitetin, duke futur kështu konceptin e bashkëjetesës së rregulluar në bazë të rregullave strikte ligjore. Nuk do të bëhen më ndërtime në këto zona pa u marrë pëlqimi i të gjithë komunitetit”, - deklaroi Alibeaj. Sipas tij, poseduesit do të paguajnë tokën me çmim tregu, sipas hartës së vlerës së tokës që ka hartuar AKKP-ja. Alibeaj nuk harroi edhe kompensimin e ish-pronarëve, duke shtuar se në ato troje që ka ish-pronarë, paratë do të shkojnë direkt për ish-pronarin. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, subjektet kanë vetëm 6 muaj afat për të paguar truallin e vilave të tyre.
Projektligjin e vlerësoi edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Ai garantoi se ky ligj nuk cenon të drejtën private të pronësisë dhe garantoi se do t’i vihet fre ndërtimeve pa kritere në bregdet. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, propozoi dy ndryshime në projektligj, por deputetët e mazhorancës miratuan versionin e kaluar në Komisionin e Ligjeve. Sipas ligjit, tashmë poseduesit që kanë vila në fshatrat turistike që janë ndërtuar pa kriter, kanë afat vetëm 6 muaj kohë, që të paguajnë vilën e tyre me vlerë tregu në shtet, në mënyrë që ta privatizojnë. Sipas projektligjit, 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, subjektet që kanë vila dhe ndërtime pa kritere në fshatrat turistike duhet të bëjnë pagesën. Në të kundërt, ata humbasin të drejtën e privatizimit të ndërtimit dhe sipas ligjit, ndërtimi prishet dhe trualli i kalon shtetit ose ish-pronarit, nëse ka një të tillë. Sipas ligjit, në rast se poseduesit paguajnë për ndërtimin e tyre, përfitojnë zbritje të shumës që i detyrohen shtetit. Çmimi i truallit të një shtëpie të ndërtuar në një fshat turistik reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve dhe 20 për qind brenda një muaji. Megjithatë, përveç vlerës së godinës, blerësi duhet t’i paguajë tokën shtetit me çmimin e tregut. Nga ana tjetër, projektligji parashikon që përfituesit do të jenë si qiramarrësit ashtu edhe blerësit e ndërtesave në fshatrat turistike. Parashikohet që 80 për qind e vlerës së tokës paguhet nga këta të fundit, ndërsa 20 për qind nga ndërtuesit e fshatit turistik.