E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet drejtorja e USAID-it, Berisha: Faleminderit për mbështetjen



Një bashkëpunim i shkëlqyer me qeverinë dhe një falënderim i Kryeministrit Sali Berisha për ndihmën që SHBA i ka dhënë Shqipërisë. Z. Berisha zhvilloi dje një takim me drejtoren e USAID-it në Tiranë, znj. Roberta Mahoney, me rastin e largimit të saj nga Shqipëria. Kryeministri Berisha falënderoi znj. Mahoney për kontributin e madh që qeveria amerikane i ka dhënë Shqipërisë nëpërmjet programit “Sfida e Pragut të Mijëvjeçarit”, i cili ka mbështetur reformat më të mëdha të qeverisjes elektronike në prokurime, tatime, ngritja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve dhe e Qendrës Kombëtare të Licencimit. Z. Berisha theksoi se këto kanë qenë objektiva madhore të qeverisë dhe një ëndërr e gjithë shqiptarëve e bërë realitet. Znj. Mahoney theksoi se gjatë këtyre viteve të qëndrimit të saj në Shqipëri ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë shqiptare dhe vlerësoi progresin domethënës të arritur në luftën ndaj korrupsionit, duke theksuar se është mbresëlënës vullneti, me të cilin qeveria po zbaton reformat dhe se si Shqipëria po përparon drejt integrimit evropian. Zoti Berisha falënderoi zonjën Mahoney për kontributin e saj personal dhe i uroi suksese në detyrën e re dhe shumë të rëndësishme që ajo do të marrë mbas largimit nga Shqipëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›