Abazi: Kështu i mashtroi biznesmenët Indrit Aliu
TIRANE - Indrit Aliu, supermashtruesi i biznesmenëve, përveç faktit që u ka rrëmbyer viktimave të tij shuma të konsiderueshme të hollash, u ka dhënë atyre fatura daljeje nga arka e fondacionit dhe jo dokumente hyrjeje si duhet të ishin realisht. Sulejman Abazi, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë “Dejs & Partners Consulting”, pronë e Aliut, tha dje se të paktën në një rast kur 25-vjeçari kishte përfituar rreth 210 mijë euro nga një biznesmen grek, kishte parë që Aliu e kishte pajisur me mandat pagimi dhe jo mandat arkëtimi. I kontaktuar dje nga gazeta, Abazi tha se ka punuar në zyrat e fondacionit të Indrit Aliut që nga shtatori i vitit të kaluar. Abazi ka qenë personi më i afërt me të riun vlonjat në shkallën hierarkike në “kompaninë e mashtrimit”. Sulejman Abazi, i cili ka botuar një libër në bashkautorësi me Indrit Aliun, ku ky i fundit ka vetëmarrë edhe gradën “Doktor”, tregohet mjaft i kursyer përsa i përket dhënies së informacionit për shoqërinë që drejtoi. Abazi pohon se gjatë gjithë kohës ka mbajtur kontakte me prokurorinë, duke i vënë në dispozicion të gjithë informacionin që kishte. Po kështu Abazi mohon të ketë bashkëpunuar në mashtrim me Indrit Aliun, ndërsa thotë se puna që ai ka bërë ka qenë mbajtja e dokumentacionit të plotë dhe formulimi i dokumenteve sipas kërkesës së 25-vjeçarit vlonjat, që drejtonte kompaninë “Dejs”. Përsa i përket akuzave të hedhura nga biznesmenët se ka bashkëpunuar me Aliun në mashtrimin e tyre, Sulejman Abazi tha se asgjë nuk është e vërtetë, pasi biznesmenët jo vetëm që janë mashtruar prej Indrit Aliut, por ata prisnin në radhë për të paguar te vlonjati shuma të mëdha parash, në mënyrë të kundërligjshme. Sipas Abazit, në kundërshtim me ligjet e shtetit, biznesmenët paguanin ryshfete në shuma të mëdha “cash” dhe për më tepër për tenderë imagjinarë. Sipas tij biznesmenët që pohojnë se janë viktima duhen marrë në përgjegjësi penale për këto veprime që kanë bërë. I pyetur nëse ka kontaktuar me Aliun gjatë kohës që ai ndodhet në arrati, Sulejman Abazi pohon se herën e fundit me të ka komunikuar në zyrë, katër ditë para se ish-kreu i “Dejs” të zhdukej pa gjurmë nga Shqipëria me rreth tre milionë euro që ua rrëmbeu biznesmenëve. fa.ma.