E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, vegël e lojërave politike



Nga Gjon KEKA*

Pikërisht në kohën e fushatave elektorale kritikohet moskryerja si duhet e disa punëve brenda procesit të zhvillimit të brendshëm të shtetit nga të gjitha anët e lëvizjes së tij ndërmjet progresit dhe regresit si dhe të sferave të tjera. Pastaj merret në sy gjithmonë një defekt i ndodhur në procesin e qeverisjes nga partia politike që është në pushtet apo edhe disa pengesa që ka pasur ajo gjatë rrugës së ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit.

Ndërkaq, Gërdeci, si një defekt i ndodhur gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, po shndërrohet në një vegël të rëndësishme të lojërave të partive opozitare të cilat, duke mos gjetur arsye dhe defekt tjetër, po rreken vazhdimisht te vuajtjet e popullit, respektivisht te përjetimet e hidhura të qytetarëve të Gërdecit, i cili përjetoi një tragjedi të paparë ndonjëherë në Shqipëri. Qeveria e tanishme ka bërë mjaft arritje në bazë të atyre mundësive që ka pasur. Arritja më e madhe e kësaj qeverisje që po i kalon mandati, është ajo e afrimit në prag të anëtarësimit të shtetit shqiptar në strukturat ushtarake më të fuqishme ndërkombëtare të NATO-s, pastaj hapja e rrugës për procesin e integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian, pastaj disa lëvizje të brendshme që nuk do të thotë se janë arritje të pakta, siç po trumbetohet nga partitë e së majtës apo ato opozitare. Kuptohet, opozita e ka këtë rrugë dhe ajo është e hapur në një shtet demokratik të kritikojë qeverisjen aty ku ajo e sheh se punët nuk po ecin mbarë apo aty ku ajo e sheh se legjitimiteti dhe kushtetuta janë të rrezikuara, por të gjitha këto kritika ajo duhet t'i bazojë dhe argumentojë duke matur argumentet reale dhe kritikën pozitive me mundësit e zhvillimit të shtetit në periudha të mesme dhe ato afatgjata e jo duke kritikuar apo gjykuar sipas dëshirave apo prekjes aty ku ndjeshmëria, siç është rasti i Gërdecit, është më e madhe se ndonjëherë më parë dhe se ky rast duhet të gjykohet në bazë të arsyes praktike dhe gjendjes faktike e jo kuturu. Demokracia nuk lejon shikime të rrejshme dhe instinktet e ngacmimit në një pikë ku të gjithë janë fajtorë e jo vetëm kjo apo ajo parti apo qeverisje.

Partitë opozitare, në vend që t'u prezantojnë votuesve programin e tyre dhe të pozicionohen ndaj problemeve aktuale, përhapin fraza, të cilat jo rrallë tregojnë imazhin real të partisë opozitare, por ato thirren në individ që menaxhojnë apo janë liderë të asaj partie. Kështu, mund të thuhet se këta individë udhëheqës në partitë politike vihen në vendin e parë duke u përkujdesur më shumë për imazhin e tyre sesa për sqarimin se çka duan të bëjnë dhe strategjinë reale apo iluzive si dhe vullnetin e madh apo të pakët për të bërë ndryshime rrënjësore, siç thuhet me një pompozitet të madh gjatë fushatave elektorale. Tendenca e ikjes nga realiteti politik i ka kapluar pothuajse të gjitha partitë politike në shtetin shqiptar, ata po u ngjasojnë më shumë ëndërrueseve të mëdhenj, por jo të realizueshëm sesa realitetit të plotë politik dhe kryerjes së detyrës sipas kritereve demokratike në sistemin shtetëror. Ndërsa opozita duhet të jetë konstruktive sa i përket të arriturave të qeverisjes së tanishme dhe dështimeve të saj, ajo duhet të mendojë më shumë se si në rast se ka dështime të kapet pas atyre, që ajo ka strategji dhe të zgjidhë dëmet në të ardhmen në rast se fiton zgjedhjet si dhe të ketë strategji të qartë se si ajo mund të qeverisë më mirë dhe më drejtë, por shihet sheshazi se opozita më shumë po merret me të shkuarën sesa po jeton duke bindur popullin se e ardhmja mund të arrihet duke punuar drejt dhe me hapa të sigurt.

Shkuarja e partive politike në Gërdec dhe protestat e zhvilluara nga ana e opozitës në përgjithësi nuk kanë asnjë ndikim në zgjedhjet e radhës, sepse shihet qartazi se çfarë dhimbjeje ka përjetuar populli dhe se si partitë politike opozitare dhe të tjerat me ato syze moderne dhe me ato lot që binin në gurë, treguan edhe një herë se nuk kemi të bëjmë me një politikë të re, por me një marrëzi të vjetër që edhe më shumë po e çon robërinë në zgjedhë të rëndë dhe se populli nuk është i çmendur që të mos mendojë .Gjithashtu, as qeverisja e tanishme me ato emocione të shtrira e të rastit nuk mund të ecë drejt zhvillimeve të mëdha dhe progresive të arritjeve historike. Duhet lënë anash të gjitha për t'i shërbyer vendit, sepse vendi është në rend të parë, ndërsa të tjerat janë pas menjëherë, por jo edhe keqmenaxhimi i cili e pengon zhvillimin e shtetit dhe e gjymton atë. Tundimi më i madh që në këto fushata politike në Shqipëri nga ana e partive opozitare dhe të tjera është se ata vetëm në këtë periudhë parazgjedhore me trumbetimet e tyre për një jetë më të mirë për qytetarët po e mashtrojnë atë, duke mos ditur se të gjitha premtimet duhet të kenë bazë dhe se populli duhet të mendojë që pas zgjedhjeve të ketë vërtet një mundësi që kjo apo ajo parti i ka ofruar apo ka mbetur në po të njëjtën gjendje që ishte më parë, duke mos pasur asnjë lëvizje të re. Pastaj, duhet ditur se gjatë fushatave të partive politike, ato, siç shihet, nuk duket se e marrin seriozisht sa duhet thënien “qytetari në rend të parë”, ai është madhori në procesin e shtetndërtimit të Shqipërisë. Siç vërejmë, partitë gjatë fushatave elektorale shpesh merren me premtime madhështore, duke thurur fjalë joshëse ndaj popullit, ndërsa në anën tjetër heqin dorë nga marrja përsipër e detyrimeve konkrete që do të duhej të ishte prioritet, pra realizimi i këtyre detyrave dhe vënia në jetën praktike e premtimeve të bëra.

Po ashtu, në fushatat elektorale shihen edhe emocionet latente të nxitura nga parulla joserioze, politizim të gjithçkaje dhe të skajshëm, marrja me yçkla. Të gjitha këto fushata që përmbajnë këso elemente, siç po vërejmë në fushatat e partive politike, janë një rrezik i djallëzisë dhe dobësimit të postulatit dhe substancës së demokracisë në shtetin shqiptar. Me gjithë mirëkuptimin për përpjekjet e partive politike në shtetin shqiptar për shitje sa më të mirë të ideve dhe projekteve të tyre, ato nuk duhet t'i injorojnë rregullat e ndershmërisë as në fushatat që i zhvillojnë, sepse të merresh me Gërdecin dhe të shkosh atje për të qarë hallet me popullin e lënduar, është një mashtrim i madh dhe një ikje nga një politikë e shëndoshë, sepse Gërdeci nuk duhet të përdoret si vegël e fushatave partiake.

Ndërrimet që bëhen në menaxhimin e sistemit shtetëror në qeverisje, janë të vetëkuptueshme, legjitime, e madje edhe të domosdoshme për demokracinë e partive politike, por kjo nuk do të thotë njëkohësisht ndryshim i të gjitha gjërave, sepse është një sistem që pa marrë parasysh kush vjen në pushtet të njëjtin rol duhet ta luajë në demokracinë dhe administratën shtetëror, ngase ende nuk kemi shpikur diçka të re apo ndonjë lojë të re në politikën e administratës shtetërore. Siç po shihet, nga ana e partive politike në këto fushata që po zhvillohen e që po mundohen të krijojnë një imazh para opinionit publik se ka një politikë tjetër ndaj asaj që është aktualisht, kjo është e çuditshme dhe absurde të mendohet. Dhe krejt në fund, fushatat e partive politike në prag të zgjedhjeve duhet të jenë fleksibël të menduara mirë, të projektuara dhe t'i përshtaten demokracisë plebishitare e jo duke dalë me iluzione dhe duke llomotitur, sepse fjalët nuk i zgjidhin problemet e qytetarëve, as s'i shuajnë ato, as s'i fashitin plagët e Gërdecit, siç kanë vërshuar partitë politike drejt saj, por duke menduar se si të ndryshohen gjërat për të mirë dhe në drejtim të ecjeve bashkëkohore.

Përndryshe, në rast se zhvillohet një politikë e tillë e partive politike në kohë fushatash parazgjedhore, atëherë shumë shpejt mund të vijë një ditë kur do të thuhet se ja, tanimë partitë politike në Shqipëri shpallen të vdekura dhe shoqëria do të dalë nga masa e saj reale dhe përfundimi do të ishte jologjik dhe aspak demokratik, por një aksident i paarsyeshëm në historinë e sistemit politik dhe partiak të shtetit shqiptar. Ndërsa, në rast se partitë politike qëndrojnë të hapura dhe janë të afta të sjellin në veprim gjëra të cilat e ndihmojnë demokracinë të jetojë brenda sistemit shtetëror, atëherë ato duhet të mos i frikohen asaj që u tha më lart, por të zgjerojnë veprimtarinë e tyre pozitive drejt së ardhmes dhe t'i shpalosin vizionet e pritshme dhe të arritshme për ardhmërinë e shtetit shqiptar dhe integrimin e tij në strukturat e familjes evropiane.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›