E Shtunë, 31 Tetor 2026

Violina në maratonë , kthehen tingujt e vjetër shqiptarë

Autori i Lajmit: red.
Më 22 qershor

Vjen në edicionin e katërt me koncertin recital të Duos Ina Kosturi – violinë, Rudina Ciko – piano. Maratona e muzikës violonistike do të çelet më 22 qershor. Në këtë edicion të katërt janë sërisht kryeveprat e literaturës violinistike dhe tingujt e vjetër dhe të harruar shqiptarë. Pjesa e parë e koncertit e përfaqësuar nga muzika e vjetër shqiptare fillon me tingujt e nokturnit për violinë e piano të kompozitorit korçar Kostandin Papajorgji, që interpretohet për herë të parë, një botim mjaft interesant i vitit 1925 në Napoli (Casa editrice musicale R.IZZO – Napoli). Ky nokturn i dedikohej avokatit Kristo Floqi, ndërsa kjo partiturë ndodhej në ekspozitën e antikuarëve realizuar pak kohë më parë në Tiranë, midis relikeve të studiuesit Shpëtim Sala. Ky bllok i pjesëve shqiptare bashkëngjitet me thënien e Thoma Nasit “Përkrahni muzikën e thjeshtë shqiptare”. Është sonata e Fan Nolit (1937) që interpretohet në nderim të këtij personaliteti të madh me kujdesin e Bibliotekës Noliane në Boston, (ku ndodhet dhe origjinali i partiturës) nën kujdesin e At Artur Liolinit. Kjo vepër do të interpretohet sërisht për të bashkuar krijimtarinë e këtyre kompozitorëve shqiptarë në koncert si dhe një dokument për Bibliotekën Noliane. Kjo sonatë e Nolit të kujton muzikën e Bethovenit dhe këngën “Dua më shumë Shqipërinë”. E veçanta e kësaj pjese të parë të Koncertit është lidhja e këtyre kompozitorëve me Amerikën ku dikush vazhdon të jetojë dhe sot. Krahas tingujve kombëtare muzika e shekullit vjen me të tjerë kompozitorë. Pothuajse të gjithë kompozitorët që do të interpretohen në koncert kanë jetuar, jetojnë e janë frymëzuar nga Amerika. Është kjo e veçanta e koncertit, gërshetimi i muzikës së vjetër shqiptare (1920 – 1940) me muzikën botërore të shekullit XX.

Ky lajm është publikuar: 20/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›