E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, humbin jetën 4 persona

Autori i Lajmit: red.
Autostrada e “vdekjes”, u merr jetën dhe katër personave mesditën e djeshme. Një makinë tip BMË dhe një kamionçinë janë përplasur për shkak të shpejtësisë. Në aksidentin tragjik kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Antonio Cazzato dhe Ignazio Magno, 40 vjeç. Ndërsa viktimat shqiptare janë Edmir Vorfa, nga Shkodra dhe Enver Hallvadori, 60 vjeç. Ndërsa një tjetër person po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Aksidenti
Një aksident tragjik ka ndodhur në rrugën Lezhë-Milot ku si pasojë kanë gjetur vdekjen katër persona. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesditës në kryqëzimin e Shën Kollit në aksin Lezhë Milot, kur dy automjete, një makinë tip BMË me targa SH 5270 E, dhe një automjet tjetër e tipit kamioncinë me targa TR 9943 R, u përplasën dhe përfunduan në kanal. Policia e Lezhës bëri të ditur se tre nga të aksidentuarit humbën menjëherë jetën, ndërsa njëri prej tyre, i cili ishte në gjendje të rëndë, ndërroi jetë në spitalin e Lezhës. Identifikimi i tyre ka qenë mjaft i vështirë, pasi kanë pasur dëmtime të mëdha si pasojë e përplasjes së fortë. Sipas policisë, dy nga shtetasit e vdekur janë shqiptarë, ndërsa dy të tjerët me shtetësi italiane nga qyteti i Leçes.
Viktimat
Janë dashur më shumë se 2 orë për të zbardhur identitetet e viktimave, pasi mjetet me të cilat udhëtonin kanë rënë në një kanal me ujë dhe dokumentet e identifikimit ishte shumë e vështirë për t i zbardhur. Pas nxjerrjes së viktimave, policia bëri të ditur dhe identitetet. Emrat e viktimave të aksidentit tragjik janë: shtetasit italianë, Antonio Cazzato dhe Ignazio Magno 40 vjeç. Ndërsa viktimat shqiptare janë Edmir Vorfa, nga Shkodra dhe Enver Hallvadori, 60 vjeç. Personi tjetër i plagosur është Sokol Mema, i cili ndodhet në gjendje shumë të rëndë për jetën dhe aktualisht është i shtruar në Spitalin Ushtarak ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Fillimisht policia zyrtarizoi tre persona të vdekur, por njeri nga të plagosurit ndërroi jetë rrugës për në spital, pasi kishte rënë në gjendje kome. Trupat e viktimave janë dërguar në morgun e spitalit të Lezhës. Policia mundi të nxjerrë skeletet e automjeteve nga kanali dhe nuk zbuloi asnjë trup tjetër poshtë tyre. Sipas policisë, përplasja e dy automjeteve ka qenë mjaft e fortë për shkak të shpejtësisë së madhe. Tashmë policia është duke punuar për të saktësuar shkaqet e plota të aksidentit tragjik që u mori jetën katër personave.

Hetimet
Fillimisht, si shkaktare është cilësuar shpejtësia, por tashmë po bëhet hetimi i plotë për të gjetur se cili nga automjetet ka humbur drejtimin dhe për pasojë është përplasur me mjetin tjetër. Kohët e fundit aksidentet automobilistike kanë marrë shumë jetë njerëzish. Edhe pse Policia e Shtetit çdo ditë bën thirrje për respektimin e rregullave të qarkullimit, sërish drejtuesit e mjeteve nuk i respektojnë ato duke u bërë shkaktarë për humbje jete. sipas të dhënave policore, si pasojë e aksidenteve çdo ditë në vendin tonë shkaktohet një viktimë. Kohët e fundit policia ka marrë masa të rrepta për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit.

Ky lajm është publikuar: 20/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›