E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 gramë C4 shpërthyen mjetin e Kekës

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Shpërthimi i makinës ka ndodhur për shkak të eksplozivit që ishte vendosur në mes të dy sedileve të para të mjetit. Në mungesë të shumë provave të tjera, ky është një fakt që deri më tani policia e ka të verifikuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë, atentatorët kanë përdorur lëndë plasëse C4, e cila ka bërë shpërthimin e menjëhershëm të mjetit. Sipas po të njëjtave burime, mësohet se janë përdorur afro 100 gramë C4, sasi kjo e nevojshme për të copëtuar tërësisht mjetin me të cilën po udhëtonte drejtuesi i PDK-së së Malësisë së Madhe. Burimet nga grupi i hetimit kanë bërë me dije se sasia e lëndës plasëse është shpërthyer nëpërmjet celularit që i është futur në makinë viktimës, pa dijeninë e tij. Si pasojë e fuqisë së shpërthimit, trupi i viktimës ka dalë jashtë mjetit duke u shpëtuar flakëve që dogjën mjetin. Pasi ka ndodhur shpërthimi, mjeti ka marrë një trajektore tjetër, duke dalë nga rruga dhe më pas është djegur komplet. Si pasojë e fuqisë së lëndës plasëse, grupi i hetimit nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë në mjetin e djegur, pasi çdo gjë ishte shkrumbuar. Tashmë grupi i hetimit është duke lokalizuar të gjithë numrat që kanë kontaktuar në ato momente me të paktën një numër tjetër celular afër zonës së ngjarjes.

Përcillet në banesën e fundit Aleks Keka

Ceremonia mortore për Aleks Kekën, kryetarin e PDK në Malësinë e Madhe që u gjet i vdekur dy ditë më parë pranë Shkodrës është zhvilluar dje rreth orës 17:00. Trupi i të ndjerit u përcoll në banesën e fundit nga të afërm, miq, shokë e bashkëpunëtorë, ku nuk munguan përfaqësues të demokristianëve. Përfaqësues të Partisë Demokristiane kanë marrë pjesë dje në funeralin e të ndjerit, i cili do të prehet në varrezat e fshatit të tij të lindjes. Ndërkohë që dy net më parë kanë dalë rezultatet e autopsisë së trupit të Aleks Kekës. Ekspertët shpjegojnë se kreu i PDK-së së Malësisë së Madhe ka gjetur vdekjen për shkak të shpërthimit të eksplozivit në makinën me të cilën udhëtonte. Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha provat nga vendi i ngjarjes, ndërsa duke u nisur nga dëmtimet e shkaktuara në trupin e Kekës, dyshohet se eksplozivi është vendosur në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit dhe aktivizimi është bërë përmes një telekomande në distancë.
Vërtetohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës kur makina ka qenë në lëvizje, në aksin rrugor Koplik-Shkodër. Aktualisht, të gjitha grupet e hetimit të angazhuara për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë mbledhur në një mbledhje të përbashkët për të fiksuar pistën kryesore të ngjarjes. Mësohet se viktima kishte vetëm pak ditë që udhëtonte me automjetin tip “Mitsubishi Pajero”.
Aleks Keka, kryetar i PDK-së në Malësinë e Madhe, humbi jetën dje paradite pranë Shkodrës. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 09:45, në rrugën nacionale Shkodër-Hani i Hotit, në vendin e quajtur Grizhë. Aleksandër Keka ishte duke udhëtuar i vetëm me automjetin tip “Mitsubishi Pajero” me targë SH 2125E (në pronësi të vëllezërve Bitani), nga Kopliku për në drejtim të qytetit të Shkodrës, kur makina me të cilën udhëtonte shpërtheu fuqishëm duke i shkaktuar atij vdekjen.

Ky lajm është publikuar: 20/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›