E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët mbetës, datat e përsëritjes së provimit

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Deri më tani janë eliminuar nga gara për të hyrë në universitet 1600 maturantë. Kjo pasi ata janë vlerësuar me nota negative në provimin e Letërsisë. Ndërkohë mbeten për t u parë edhe rezultatet e matematikës, e cila, si lëndë e vështirë që është, mund të eliminojë një numër më të madh nxënësish nga e drejta për të konkurruar për studimet e larta. Sipas rregullores së provimeve për 2009-ën, që të hyjnë në garën për pranimet në universitet, maturantët duhet të jenë kalues në të katër provimet e dhëna, çka rrjedhimisht sjell eliminimin nga kjo garë të 1600 kandidatëve që u vlerësuan jokalues në provimin e letërsisë. Këta të fundit duhet të rijapin sërish provimet në datat e caktuara për sezonin e vjeshtës, por humbasin të drejtën për ndjekjen e studimeve të larta gjatë vitit të ardhshëm akademik.
Ankimimi
Ndërkohë, po sipas rregullores, maturantët e pakënaqur me rezultatet e arritura në provimin e letërsisë brenda duhet të dorëzojnë kërkesën e plotësuar, në rast se duan të rishikojnë pikët e marra. Kërkesa për rivlerësim duhet të dorëzohet pranë drejtorisë së shkollës së mesme, e cila së bashku me drejtorinë arsimore të qytetit e përcjell atë drejt Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Kjo procedurë do të shoqërohet jo vetëm me afate të limituara kohore, por edhe me mbulimin e një fature financiare prej 16 mijë lekësh nga vetë maturanti. Fillimisht, maturantët do të kërkojnë rishikimin e kopjes së testit të korrigjuar dhe më pas një vlerësim të dytë, po rezultoi se ka pasaktësi.
Ndarja e koeficientëve
“Për të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005–2008 dhanë provimet me zgjedhje, por nuk janë regjistruar në asnjë fakultet, rezultatet e arritura nga nxënësi në provimet me zgjedhje të këtyre viteve mund të ruhen edhe në rastin kur nxënësi ka marrë vlerësim kalues vetëm njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën)”, - thuhet në rregulloren e provimeve. Nëse nxënësi kërkon t i ruhet rezultati i mëparshëm, në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë–preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë dhe jo ato të miratuara gjatë 2009-s. Për rastet kur kandidati e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t i njihet rezultati i saj, do t i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën. Po e njëjta procedurë do të ndiqet dhe për koeficientet e shkollave të mesme, ku do të aplikohen ato të vitit të shkuar gjatë procesit të përllogaritjes.
Rezultatet
Sipas të dhënave nga AVA ka pasur një numër shumë të madh nxënësish të pakënaqur me notën që kanë marrë në testin e Letërsisë dhe që kanë nisur kështu procedurat për të tërhequr testin. Vetëm 14 maturantë në të gjithë vendin kanë arritur të marrin pikët maksimale në provimin e Letërsisë. Ata kanë grumbulluar 49 pikë, nga 50 pikë që kishte provimi. Ndërkohë 4.5% është numri i mbetësve në provimin e parë të Maturës Shtetërore. Në një analizë paraprake Agjencia Kombëtare e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), bën të ditur se kalueshmëria në shkallë kombëtare është rreth 95%. Sipas APRIAL në të gjithë Shqipërinë janë marrë mbi 200 dhjeta, për të cilat praktikisht maturantët kanë grumbulluar 45-50 pikë në testet e provimit të Letërsisë.
Formulari A2
Formulari A2, i cili plotësohet nga maturantet për të vijuar studimet e larta, pritet të shpërndahet në fillim të javës së ardhshme, sipas Agjencisë së Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë. Pranimi në universitete për vitin e ardhshëm akademik do të bazohet në preferencat e maturantëve, të cilat do të listohen sipas rendit zbritës në formularin A2. Grupet e punës në APRIAL, që kanë detajuar këtë formular, pohojnë se edhe për maturën e këtij viti, plotësimi do të jetë i njëjtë, çka do të thotë se maturantët do të përzgjedhin sërish dhjetë degët më të preferuara sipas një rendi zbritës. Maturantët do ta plotësojnë formularin e preferencave pas publikimit të të dyja rezultateve të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore.

Procedura për maturantët e vjeshtës
Nxënësit mbetës kanë të drejtë që gjatë sezonit të vjeshtës të japin vetëm provimet e detyruara, në të cilat nuk kanë kaluar. Ndërsa të drejtën e konkurrimit për shkollën e lartë do të mund ta shfrytëzojnë vetëm gjatë vitit të ardhshëm, në të njëjtën kohë kur të nisin procedurat e aplikimit për provimet e maturës së vitit 2009. Një vit më parë, më shumë se 5 mijë maturantë mbetës gjatë sezonit të qershorit u janë rikthyer shkollave të tyre për të ridhënë këtë provim. Ministria e Arsimit caktoi si kohë të ridhënies së provimeve të detyruar muajin tetor. Po ashtu provimi u zhvillua në të njëjtën ditë në të gjitha shkollat e mesme të vendit, në të cilat rezultuan mbetës në provime. Me mbarimin e sesionit të dytë të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore këta nxënës përfundojnë vitin shkollor 2008- 2009. Referuar statistikave të një viti më parë në të gjithë vendin rezultuan të jenë mbetës në dy provimet e detyruara të maturës së 2008-ës rreth 11 mijë maturantë. Shpërndarja e tyre ishte e ndryshme dhe pjesa më e madhe u përkisnin rretheve. Nxjerrja e rezultateve të arritura në këto provime, sipas rregullores së përcaktuar, bëhet në një afat kohor (të njëjtë me tani) prej 15 ditësh që nga dita e zhvillimit të provimit përkatës. Testet do të përgatiten sërish nga e para edhe për mbetësit. Korrigjimi i tyre do të bëhet nga specialistët e përzgjedhur për vlerësimin e testeve, ashtu siç është vepruar dhe në fazën e parë të provimeve që u zhvilluan në muajin qershor. E njëjta procedurë vlerësimi do të zbatohet për të dy provimet, si atë të matematikës, ashtu dhe atë të letërsisë. Rezultatet e provimeve nga drejtoritë arsimore do të depozitohen në shkollat e mesme, ku dhe do të publikohen në vende të dukshme.

Rikandidimi për universitet
Ndjekja e studimeve të larta për këtë kategori nxënësish do të jetë e mundur vetëm pas një viti, duke qenë se për këtë vit janë cilësuar mbetës dhe për rrjedhojë humbasin të drejtën e ndjekjes së vitit akademik në universitete publike. Ndërkohë kur të aplikojnë për pranimet në universitete këta maturantë do të japin vetëm provimet me zgjedhje në bazë të lëndëve që do të plotësojnë në formularin A-1. Plotësimi i këtij formulari do të bëhet në të njëjtën kohë kur të nisin procedurat e provimeve për nxënësit që gjatë këtij viti hidhen në vitin e katërt dhe do të jenë konkurrentë për shkollat e larta. Drejtoritë arsimore do të ruajnë të dhënat përkatëse mbi rezultatet që do të marrin këta nxënës gjatë dhënies së provimeve të detyruara të vjeshtës, të cilat më pas do të hidhen në formularin përkatës të plotësimit të preferencave për në universitet.

Ky lajm është publikuar: 20/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›