E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronari: “Si e bleu Aldo Bare Lagunën e Karavastasë”

Autori i Lajmit: red.
Trupi gjykues që po gjykon anëtarët e bandës së Lushnjës, është njohur dje me mënyrën se si Aldo Bare ka përfituar Lagunën e Karavastasë. Dëshmitari Llambi Ndini, ish- përfitues i kënetës ka treguar se si i kishin ardhur dhe i kishin marrë kënetën e Karavastasë. Ai ka treguar se si e kishin blerë atë në vitin 90, dhe urdhrin që u erdhi më pas për ta shitur atë te një firmë që ishte pronë e Aldo Bares. “Lagunën e Karavastasë, unë së bashku me disa shokët e mi që ishim që më parë punëtorë aty, e blemë në vitin 1990”, - ka filluar dëshminë e tij Llambi Ndini. Ishim 90 punëtorë që investuam për ta privatizuar dhe për ta mbajtur hapur, atë lagunë, e cila çdo ditë nxirrte me tonelata peshk. Pas pak vitesh, drejtori, që ishte zgjedhur prej nesh, erdhi dhe na tha se një firmë private e drejtuar nga Aldo Bare do të blinte lagunën, dhe për këtë do të na paguante të gjithë, si dhe do të vazhdonte të na mbante në punë”,- ka treguar dëshmitari. Në atë vit isha shumë dobët nga ekonomia ndaj edhe lekët që më ofruan, më duheshin, dhe ndaj u tregova i gatshëm që t a jepnim kënetën ndërkohë që do të qëndronim sërish në punë. Për pjesën që kisha unë, Aldo Bare më pagoi 600 mijë lekë dhe për mua ishin shumë, sepse në shtëpi nuk kisha bukë, por edhe peshkun nuk kisha ku e shisja”,- ka vazhduar më tej dëshmitari. “Në atë kohë, nuk e dija kush ishte Aldo Bare por më vonë e mësova. Kur vajtëm tek noterja pashë që diçka nuk shkonte, pasi të gjithë personat që na rrethonin kishin një pamje si të frikësuar. Në asnjë kohë nuk kam pasur shqetësime nga Aldo Bare dhe gjatë kohës që isha në lagunë nuk kam parë asnjë veprim të dyshimtë të tij”, - ka treguar dëshmitari dje në sallën e gjyqit. Organi i akuzës gjatë hetimit të kryer lidhur me veprimtarinë kriminale kishte identifikuar si pronë të tij shoqërinë "Laguna Karavasta" shpk, me një sipërfaqe toke prej 11.792 m2 në Divjakë të Lushnjës, së bashku me 1216 m2 ndërtesa dhe pajisjet brenda ndërtesave, si dhe me barkat e peshkimit, rrjetat, dajlanët etj.

Ky lajm është publikuar: 20/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›