E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: "Statusi i minatorit" disbalancë, i përfshirë nga ethet elektorale

>Ministri i Financave Ridvan Bode tha dje në Kuvend se p/ligji "për statusin e minatorit"  vendos disbalance mes grupeve të ndryshme shoqërore. Gjatë shqyrtimit të këtij p/ligji, të propozuar nga grupi parlamentar LSI-PDS, ministri Bode tha se "drafti është i përfshirë nga ethet elektorale dhe nuk është një nismë e arsyeshme."
"Ai nuk i kontribuon paqes sociale dhe vendos disbalanca mes grupeve të ndryshme shoqërore. Kërkesa për vendosjen e statuseve grupeve të ndryshme nëpërkëmb dhe përbalt kategori të tjera shoqërore", u shpreh ministri Bode gjatë debatit për këtë p/ligj. Ai theksoi se "detyrimi i politikës është se duhet të jetë e ndjeshme dhe e barabartë në trajtimin e çdo qytetari. Nisma të tilla për status të veçantë prishin balancat sociale dhe deformojnë nevojën për një shoqëri të barabartë, efiçente dhe të drejtë". Gjatë paraqitjes së këtij p/ligji, Kryetari i komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu tha se "pas konsultimeve me përfaqësues të qeverisë dhe grupeve të interesit komisioni me shumicë votash vendosi t'ua kthejë mbrapsht autorëve këtë draft". "Komisioni gjykon se ka ardhur momenti për një diskutim të hapur dhe më të gjerë të çështjes së pensionit për profesionet e rënda. P/ligji nuk u pranua pasi ai bie ndesh me një sërë ligjesh dhe krijon amulli në sistemin e sigurimeve shoqërore", tha kryetari i komisionit përgjegjës për këtë p/ligj. Nisma ligjore e grupit parlamentar LSI-PDS kërkon ndër të tjera uljen e moshës së pensionit për minatorët në 50 vjeç, nga 65 vjeç që është sot.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›