E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ansambli i Këngëve dhe Valleve: Udhëtim në viset shqiptare, me perla të folklorit

>Kalendari Artistik i AKKVP vjen me repertor të zgjedhur. Risi artistike dhe prioritet të rinjve
Një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat e shqiptare do të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit .Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore me fillimin e sezonit të ri artistik, do të zhvillojë një aktivitet të larmishëm artistik, ku do të jetë ndërthurur folklori i të gjitha trevave shqiptare. Këtë e pohon dhe drejtuesi i Grupit Vokal Gramoz Burba. Në një prononcim dhënë për gazetën, duke folur mbi aktivitetin e AKKVP ai tha se këtë vit më shumë prioritet do ti jepet krijimeve të reja, por dhe artistëve të rinj. Ky kalendar ka ndryshime, dhe këtë vit risia qëndron në faktin që më shumë i mëshohet idesë për të pasur më shumë krijimtari të re, duke afruar kompozitorë, koreografë të ndryshëm. Ky është qëllimi ynë, në mënyrë që të krijohet një repertor i viteve që ne po jetojmë. Këtë ndryshim të repertorit ne e bëjmë që të kemi një repertor më të kohës. Natyrisht që ne nuk mund të shmangemi nga tradita dhe folklori për të cilën ne jetojmë, dhe na mban në këmbë, por gjithmonë këto të reja do të vijnë me kujdes,u shpreh Burba. Më tej ai tregon se këto risi nuk do ta dëmtojnë folklorin me të cilin ky Ansambël prezantohet në skenat shqiptare, si dhe ato botërore. Ne nuk duhet të devijomë nga traditë në Ansambël që është me të vërtetë e mirë. Ne po afrojmë kompozitorë me emër, duke i alternuar me kompozitorët më të rinj, si dhe koreografët e vjetër me të rinj. Kjo bëhet  në mënyrë që të kemi një ruajtje të vazhdimësisë. Por prioritet këtë vit do të kenë të rinjtë artistë, por dhe krijimtaria. Tek Grupi Vokal i AKKVP mund të vijnë shtatë apo tetë artistë të rinj, të cilët i përkasin Projektit të të Rinjve, tregon ai. Më tej duke folur për kalendarin artistik, ai tha se këtë vit janë mbi 14 koncerte, të cilat do të vijnë në skenën shqiptare. Midis tyre ai përmend dhe  shumë koncerte recitale të emrave të njohur të folklorit tonë popullor. Është fillimi i vitit dhe ne kemi hartuar nj kalendar për shfaqjet, i cili numëron rreth 14 aktivitete, që do të jepen gjatë këtij vitit me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Një numër i madh prej tyre janë premiera, krahas evenimenteve kombëtare, siç është shpallja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën kemi një koncert jubilar, ku është menduar që ne për këtë koncert të bëjmë një bashkëpunim me Ansamblin e Prishtinës, shprehet udhëheqësi i Grupit Vokal Gramoz Burba. Më tej ai shton se: Kemi dhe aktivitete të tjera, si një shfaqje premierë me këngë të muzikës së Shqipërisë së Mesme, kryesisht me krijimtarinë e kompozitorit Alfons Balliçi, e cila mendohet që të shfaqet Ditën e Verës, në datën 14 mars në qytetin Elbasanit, dhe më pas në Tiranë. Më pas kemi koncertin recital të këngëtares Irini Qirjako. Është dhe një koncert premierë me këngë dhe rite shkodrane, kryesisht me ritin e dasmës, por dhe i vdekjes, një ritual që neve shumë pak e kemi prekur nga folku shqiptar. Një risi e veçantë në aktivitetin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore do të jetë dhe riti i vdekjes. Për këtë Gramoz Burba pohon se: Në këtë koncert jepet jeta e qytetit të Shkodrës që nga lindja deri në vdekje. Ndërkohë që kalendari artistik i Ansamblit ka dhe të tjera koncerte ku përmendim koncertin e valltarit Genc Kastrati, i cili vjen si një udhëtimi bukur në viset shqiptare. Ndërkohë që koncerti i parë për këtë vit do të jetë në datën 17 shkurt dhe i kushtohet Kosovës. Në repertor do të jenë Vallja e shqipeve, vallja e Bajram Currit, kënga Nanë u nisa për në çetë etj. Ndërkohë që ky koncert do të jetë dhe me pjesëmarrjen e artistëve të ansamblit Shota të Prishtinës. Koncerti që do të jepet në Tiranë është menduar që të jepet dhe në Prishtinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›