Virion Graçi: Drejtoresha e kopshtit më ka kërcënuar
Virion Graçi, denoncuesi i këtij rasti, pedagog në universitetin "Eqrem Çabej", njëkohësisht shkrimtar e publicist ka deklaruar se qysh prej momentit që është njohur me këtë çështje është kërcënuar nga drejtoresha e kopshtit "Cicërimat", Tefta Zhulla. Sipas tij, fakti që fëmija i tij është përfshirë në listën e fëmijëve me vështirësi të zhvillimit mendor është pohuar edhe prej ish-drejtorit të arsimit në Gjirokastër, Vasil Muka.
"Urdhrin e dhënë para dy vitesh nga drejtoresha për përfshirjen e tim biri në një program të veçantë dy edukatoret nuk e kanë pranuar, duke këmbëngulur se gëzonte shëndet të plotë mendor. Drejtoresha është i vetmi person për të cilin unë kam ngritur padi, ndërsa psikologia Anila Caca është akuzuar prej drejtoreshës, dhe jo prej meje.
Drejtori aktual i arsimit gjatë ballafaqimit pranoi se këto projekte janë bërë pa dijeninë e plotë të prindërve, që është shkelje e rëndë, ndërsa z.Vasil Muka, ish- drejtori i DAR-it pranoi pjesën tjetër të së vërtetës, që në atë mënyrë trajtohen fëmijë me probleme të zhvillimit mendor, vështirësi në nxënien e mësimit apo me shkallë të ndryshme të zhvillimit; nga ana tjetër drejtoresha dhe edukatoret pohojnë se është një fëmijë i shëndetshëm.
Pra, për një fëmijë të shëndetshëm është përgatitur një dosje sikur është një fëmijë me probleme mendore. Drejtoresha Tefta Zhulla më ka kërcënuar dhe provokuar duke më thënë "Janë njerëz shumë më të rëndësishëm dhe nuk keni se çfarë të më bëni".
Pas kallëzimit fëmija im nuk do ta frekuentojë më atë kopsht, pasi kur arrihet të kërcënohemi ne të rriturit, pasojat psikologjike do të jenë shumë më të rënda për një fëmijë", ka deklaruar Graçi.