E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti i Prishtinës është hapur sërish për fluturime

(E plotësuar)

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) është hapur sërish për fluturime, pas mbylljes nga mesnata e kaluar për shkak të çrregullimit të trafikut ajror në shumicën e aeroporteve të Evropës, ndërkohë që zyrtarë të aeroportit kanë konfirmuar për Kosovapress se janë anuluar rreth 20 fluturime të parapara për ditën e sotme.

Altin Ahmeti, zyrtar për informim në Aeroportin e Prishtinës, ka thënë se rihapja e aeroportit është bërë në ora 14.00, mirëpo nuk do të ketë fluturime pasi që janë anuluar rreth 20 sosh, për shkak se aeroportet evropiane vazhdojnë të jenë të mbyllura, si pasojë e reve të hirit vullkanik.

“Që nga sot ne jemi të hapur, i mirëpresim të gjitha kompanitë dhe jemi të gatshëm t’i ofrojmë shërbime, mirëpo krejt varet nga kompanitë që vinë nga aeroportet nga vinë, për shembull Gjermanisë, Francës, Zvicrës, të cilat qëndrojnë të mbyllura dhe për shkak të kësaj të gjitha fluturimet veç janë të anuluara”, ka thënë ai.

Për më tepër, Ahmeti ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nuk është realizuar asnjë fluturim, ndërsa fluturimi i aeroplanit të “Bel Air” në relacionin Tiranë-Prishtinë ende nuk është i sigurt nëse do të realizohet, pasi gjithçka varet nga rrethanat atje.

Ahmeti ka thënë se në bazë të informacioneve që posedojnë nga qendra meteorologjike e Aeroportit të Prishtinës dhe ajo e Britanisë dhe e Francës, është paralajmëruar se gjatë natës së martë dhe të mërkurë hiri vullkanik mund të vijë edhe në Kosovë.

“Aeroporti i Prishtinës do të qëndrojë i hapur stafi është në punë, ne zakonisht këto të dhëna i marrim prej qendrës meteorologjike të Aeroportit të Prishtinës e cila është në koordinim të plotë me qendrën meteorologjike në Britani dhe në Francë. Ato kanë paralajmëruar se e njëjta situatë e ardhjes së resë në Kosovë mund të ndodh sërish në mesnatën ndërmjet së martës dhe së mërkurës, kështu që jemi në pritje”, ka thënë Ahmeti.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës që nga mesnata e kaluar e deri sot në ora 14.00 hapësira ajrore e Kosovës do të jetë e mbyllur për qarkullim, për shkak të çrregullimit të trafikut ajror në Evropë, ndërkohë që ishte paralajmëruar edhe mundësia e ardhjes së hirit vullkanik në Kosovë, gjë e cila nuk ka ndodhur për shkak të ndryshimit të kahut të erës.

Ndryshe, trafiku ajror mbetet në përgjithësi i paralizuar edhe mbi Evropë prej hirit të vullkanit, dhe se dhjetëra mijëra udhëtarë janë të bllokuar nëpër aeroporte, derisa humbjet e kompanive ajrore shkojnë deri në 200 milionë euro në ditë.

Mbyllet trafiku ajror në Kosovë

Drejtues të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) kanë konfirmuar për Kosovapress se që nga mesnata e kaluar e deri sot në ora 14.00 hapësira ajrore e Kosovës do të jetë e mbyllur për qarkullim, për shkak të çrregullimit të trafikut ajror në Evropë, ndërkaq nuk kanë mund të konfirmojnë nëse hiri vullkanik ka arritur edhe në Kosovë sikurse ishte paralajmëruar mbrëmë.

Derisa dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë anuluar pothuajse të gjitha fluturimet për shkak të mbylljes së aeroporteve në vendet e Evropës për shkak të hirit të vullkanit nga Islanda, sot në këtë aeroport nuk do të ketë shërbime të trafikut ajror deri në ora 14.00.

Agron Mustafa, drejtor i ANP-së, ka thënë për Kosovapress se kjo gjendje ka ardhur për shkak të problemeve në aeroportet evropiane.

“Prej mesnatës të natës së kaluar e deri sot në orën 14.00 nuk do të ketë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Kosovës. Problemi nuk është te ne, por në aeroportet e vendeve perëndimore, ku kontaminimi si pasojë e hirit vullkanik është shumë i lartë”, ka thënë Mustafa.

Për më tepër, drejtori i ANP-së ka thënë se për momentin nuk posedon informacione në lidhje me atë nëse hiri vullkanik ka prekur Kosovën ashtu sikurse ishte paralajmëruar mbrëmë.

“Në bazë të informatave që unë mbrëmë i kam pas është dashur të vijë në mesnatë”, ka thënë Mustafa.

Trafiku ajror mbetet në përgjithësi i paralizuar edhe mbi Evropë prej hirit të vullkanit, dhe se dhjetëra mijëra udhëtarë janë të bllokuar nëpër aeroporte, derisa humbjet e kompanive ajrore shkojnë deri në 200 milionë euro në ditë. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›