E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshon për klientin, shitësja jep alarmin për grabitje

Policia shoqëron në komisariat dhe më pas lë të lirë personin që kishte pasur mosmarrëveshje me shitësen


Tirane- Shitësja e dyqanit të celularëve alarmon policinë e kryeqytetit për një grabitje mundshme që po tentohej të kryhej sipas saj nga një person i panjohur. Blutë shoqërojnë në polici të dyshuarin pas bllokimit të tij nga patrulla e një shoqërie të policisë private që ruante dyqanin

Ngjarja ndodhi dje në orët e paradites në rrugën "Don Bosko", për shkak të një debati mes të dyshuarit dhe shitëses së dyqanit mësohet se ka nisur për shkak të mosmarrëveshjes mes femrës që qëndronte në banakun e dyqanit dhe "grabitësit" të dyshuar. Kjo për shkak të një mosmarrëveshjeje mes këtij personit që në të vërtetë ishte një klient i cili kishte pretendime.


Në debat e sipër mes tyre burri me inicialet A. B, 49 vjeç, nga Tirana, ka nisur të bërtasë dhe të debatojë ashpër me shitësen për shkak se kjo e fundit nuk pranonte pretendimet e 49- vjeçarit, për kthimin e një shume parash që ai kërkonte.Kur 49- vjeçari, banues në rrugën "Don Bosko", ka nisur të acarohet edhe më tepër, shitësja është frikësuar duke menduar se personi përballë saj mund të kryente grabitje. Menjëherë ajo ka shtypur butonin e alarmit poshtë banakut, duke lajmëruar shërbimin e policisë private që kryente ruajtjen e objektit.


Menjëherë pas këtij alarmi, në vendin e lajmëruar mbërriti në pak minuta një patrullë e policisë private e cila bllokoi "të dyshuarin" dhe menjëherë e dërgoi në komisariat.


Menjëherë hetuesit dhe oficerët e zyrës së krimeve kundër pronës në komisariatin nr.3, kanë nisur procedurat për të sqaruar ngjarjen dhe për të arrestuar të dyshuarin për vjedhje me dhunë të mbetur në tentativë. Por gjatë verifikimit të kryer është mësuar se në të vërtetë ngjarja nuk ishte një grabitje por një mosmarrëveshje mes personit të shoqëruar që ishte në rolin e klientit dhe shitëses së dyqanit.


Pas sqarimit të konfliktit dhe mirëkuptimit mes palëve, policia la të lirë 49- vjeçarin që për pak mund të kishte përfunduar në qeli, si i dyshuar për vjedhje me dhunë. Ballafaqimi me të "dëmtuarit", duket se ka shpëtuar 49- vjeçarin i cili ka qenë në prag të arrestimit nga policia për shkak të irritimit që ai ka pasur me punonjësen e dyqanit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›