E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi A/H1N1, pacientët më pak të alarmuar

Ndërkohë që vendet e botës janë në alarm nga përhapja e gripit të derrit dhe rritja e numrit të të infektuarëve , në Shqiperi siç duket situata është e qetë . Mjekët deklarojnë se kohët e fundit ka pasur shumë pak raste të pacientëve të dyshuar si të prekur me AH1N1. Mjeku pediatër në poliklinikën numër dhjetë në Tiranë Ilir Koli, është shprehur se në këtë poliklinikë kohët e fundit nuk ka pasur asnjë rast me simptome të gripit të derrit. Ai gjithashtu shprehet se edhe paniku te qytetarët është ulur ndjeshëm.
Ndërkohë rritet numri i pacientëve të prekur me virozat e stinës. Me uljen e temperaturave, kolla dhe sëmundjet e fytit janë virozat më të pranishme te të gjithë njerëzit. Por ata që preken më shumë nga këto viroza të stinës janë të vegjëlit. Këtë gjë e pohon edhe vetë mjeku pediatër Ilir Koli.
Sipas mjekëve ndryshimi i motit sjell ndryshime të temperaturës trupore, e cila luhatet nga 37 deri në 37.5, por këto mund të shkojnë edhe më lart në rastet kur viroza ka përparuar dhe nuk është luftuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›