Vit i ri ne qiell te paster. Shi pas 2 janarit
Nata e ndërrimit të viteve, ndryshe nga ajo e Krishtlindjeve, pritet të jetë me mot të kthjellët. Të paktën kështu kanë pohuar meteorologët. Sipas parashikimeve qe raportojnë ata, reshjet e shiut do të rikthehen në territorin e vendit pas datës 2 janar, ndërkohë që intensiteti i tyre do të jetë i ulët.
“Për sa i përket natës së ndërrimit të viteve, parashikohet mot i kthjellët në të gjithë territorin. Parashikohet që të mos ketë reshje shiu”, tha Lajda Porja, meteorologe.
Ajo shtoi se për sa u përket vlerave termike që do të shënojë termometri, ato nuk do të jenë shumë favorizuese, pasi në territorin e vendit do të kthehen sërish temperaturat në vlera negative.
“Vlera minimale parashikohet të shkojë deri në -5 në zonat më të thella malore, ndërkohë që bregdeti dhe zona e ulët parashikohet të jenë në vlera pozitive edhe në vlerat e mëngjesit, të cilat do të jenë rreth 2-3 gradë”, sqaroi Porja.
Sipas saj, era nuk do të jetë e fortë sa për të shkaktuar probleme në qarkullimin detar, parashikohet që shpejtësia e saj të arrijë deri në 30 km në orë, duke shkaktuar dallgë deri në 3 ballë.