E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia merr Presidencën e forumit të qyteteve të Adriatikut dhe Jonit



Bashkia e qytetit të Durrësit mori dje presidencën e radhës për vitet 2008-2010 në Forumin e qyteteve të Adriatikut dhe Jonit, një forum që po zhvillohet nga dje në qytetin bregdetar. Gjatë votimit, Durrësi u zgjodh mes 12 kandidaturave të qyteteve të Barit, Monfalcones, San Benedetto del Trontos dhe Riminit (Itali), Neum (Bosnje Hercegovinë), Rijeka, Split, Plloce dhe Zadar (Kroaci), Bar (Mali i Zi) dhe Coper (Slloveni). Ndërsa bashkia e qytetit të Splitit u zgjodh në rolin e zëvendëspresidentit të radhës. Kryebashkiaku i Pescares, Luciano D’Alfonso, pasi i dorëzoi mandatin e Presidencës kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh se "kalimi i kryesimit të Forumit nga njëra anë e Adriatikut në tjetrën është tregues i përfshirjes dhe kontributit gjithnjë e më të madh të qyteteve, që ndërmorën nismën e vitit 1999 në Ankona për krijimin e këtij organizmi me synime integruese".

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, me cilësinë e Presidentit të Forumit të qyteteve të Adriatikut dhe Jonit e vlerësoi këtë zgjedhje si një ditë historike për qytetin bregdetar". Ai theksoi se "kjo është një përgjegjësi më shumë për bashkinë dhe qytetin që kërkon të fitojë rolin e merituar politik si urë mes Evropës Perëndimore dhe Ballkanit".

Në Forumin e qyteteve të Adriatikut dhe Jonit bëjnë pjesë 50 qytete nga 7 shtete Italia, Sllovenia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Greqia dhe Shqipëria. Ky forum është themeluar më 30 prill të vitit 1999 në Ankona dhe Sesioni i 10-të Plenar i këtij Forumi organizohet këto dytë në Durrës nën patronazhin e "Nismës së Adriatikut dhe Jonit". Temat kryesore që do të diskutohen gjatë këtij forumi janë bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›