Maternitetet, hiqen bisturitë, tani ndërhyrjet me sondë
Ministrja Godo: Unifikim të qëndrimeve tona diagnostikuese dhe terapeutike me ato evropiane
Endoskopia gjinekologjike është një metodë e re e ndërhyrjeve kirurgjikale tek gratë, që do t’i kushtojë më pak si shëndetit të pacientëve, ashtu edhe mjekësisë shqiptare. Gratë që kryejnë endoskopinë nuk do të kenë më nevojë për hospitalizime më shumë se një ditë, si dhe kostoja e tyre do të jetë më e lirë. Endoskopia heq një herë e mirë nga praktika e mjekëve gjinekologë bisturitë, duke futur në përdorim të gjerë sondën. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, si dhe mjekë të njohur obstetër, gjinekologë, janë mbledhur dje gjatë konferencës së parë “Kirurgjia endoskopike, një perspektivë e re e gjinekologjisë shqiptare”, ku kanë diskutuar mbi diagnozat që prekin gratë dhe organet riprodhuese. Ministrja Godo ka theksuar rëndësinë e diagnostifikimive me mjete sa më moderne dhe me kosto më të ulët, si financiare, ashtu edhe shëndetësore. Ajo vuri theksin në ndryshimin e metodave të kryerjeve të ndërhyrjeve kirurgjikale tek gratë përmes kirurgjisë endoskopike.
Godo
Kjo metodë është praktikë pune prej vitesh në shumë vende evropiane, ndërkohë që në vendin tonë pritet të vihet në jetë së shpejti.
Ministrja Godo vuri në dukje se endoskopia gjinekologjike ka ekzistuar, por kryesisht në fushën e diagnostikës. Ndërsa vlerësoi paraqitjen në këtë konferencë të tendencave për të hyrë në fushën e endoskopisë gjinekologjike, në fushën jo vetëm diagnostikuese, por dhe në atë të trajtimit, ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se "do të shikohen të gjitha rrugët, në të cilat do të zhvillohet kjo endoskopi gjinekologjike, të gjitha modalitet, pajisjet, me të cilat duhet të zhvillohet, cilat do të jetë indikacionet e kësaj ndërhyrjeje në gjinekologji".
"Duke parë situatën aktuale, do të kuptohet dhe cilat do të jenë sfidat për të ardhmen", - tha më tej ministrja Godo, duke vënë në dukje se "kjo konferencë është premtim shumë kurajoz, real dhe bindës, që qytetareve shqiptare u ofrohet një shërbim i ri mjaft cilësor, më pak agresiv dhe invaziv për shëndetin e tyre, me një ulje të kostos shëndetësore, por dhe financiare".
Maternitetet
Materniteti “Koço Gliozheni” çdo ditë kryen ndërhyrje invazive endoskopike gjinekologjike. Sipas drejtoreshës znj. Rubena Moisiu, në Spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë kryhen çdo ditë ndërhyrje invazive endoskopike gjinekologjike. Aktualisht ka staf të kualifikuar dhe të gjitha mjetet e duhura për të kryer këto ndërhyrje.
Sipas saj, aktualisht nuk ka statistika të hollësishme dhe të sakta mbi përqindjen e grave shqiptare që mund të kenë probleme që kanë nevojë për endoskopinë. "Por ka shumë dhe në klinikat tona mund të paraqiten çdo ditë raste të tilla dhe që mund të kenë nevojë për këto ndërhyrje", - tha dr. Moisiu. Ajo sqaroi se "endoskopia është një ndërhyrje invazive deri diku, por jo aq invazive siç është operacioni, dhe që presupozon kryerjen e disa interventeve, si heqja e kisteve të vezoreve dhe e fibromionave në rrugë laporoskopike".
Sipas znj. Moisiu, "laporoskopia, që bën pjesë në endoskopi, do të thotë të hapen vetëm tri pika në bark, ndërkohë që kryhet një intervent, i cili është kirurgji". Por, nga ana tjetër, interventi nuk ka koston e kirurgjisë, qoftë shëndetësore dhe qoftë kosto financiare, - tha ajo.
"Me këtë lloj interventi, që quhet laporoskopi, pacientja mund të qëndrojë vetëm një ditë në spital dhe nuk ka nevojë për më shumë hospitalizim dhe për më shumë mjekime të tjera”, - tha drejtoresha e spitalit "Koço Gliozheni".
Përveç këtij interventi, është dhe një intervent tjetër që quhet histeroskopi, që do të thotë kryerja e interventeve brenda hapësirës së mitrës dhe në kushte ambulatore, pa asnjë lloj kostoje dhe asnjë moment hospitalizimi, tha më tej ajo, duke shtuar se "me këtë intervent, mund të hiqen fibrioma të vogla brenda mitrës, por dhe mund të korrigjohen defekte të hapësirës së mitrës".
“Është ndërhyrje me kosto të ulët, por që kërkon aparaturë dhe mjekë të kualifikuar dhe ne i kemi të dyja", - sqaroi ajo, duke theksuar se aparatura me të cilën kryhen këto intervente, ka kosto financiare, por ajo zgjat për vite me radhë dhe ka efektivitet shumë të lartë.