Kurat mjekësore për shërimin e diarresë
Si të kuptojmë nëse jemi të prekur
Ushqimet e këshillueshme për t’u konsumuar
Diarreja nuk është një sëmundje, por një simptomë. Trëndafili dhe manaferra, dy nga bimët qe shërojnë këtë simptomë. Diarreja shoqërohet me dhimbje barku. Dhimbjet dhe spazmat e barkut kanë dhe mjekimin e tyre popullor. Për diarre flitet kur heqja e barkut është më e shpeshtë se tri herë në ditë. Ndërsa kur ajo zgjat deri në disa ditë, flitet për diarre akute; nëse ajo zgjat me tepër se kaq, kemi të bëjmë me diarre kronike. Shpesh shoqërohet me të vjella.
Shkaku më i shpeshtë i kësaj sëmundjeje janë gabimet kualitative dhe kuantitative në ushqim. Zverdhja e hershme ose kalimi në ushqim të përzier mund të jetë shkaku për vjellje dhe diarre. Në disa raste diarreja, e shoqëruar dhe me përzierje, vjen si rezultat i alergjisë ndaj qumështit të lopës.
Simptomat
Njerëzit që preken nga diarreja kanë etje të madhe, letargji dhe plogështi, sy të gropuara e pa lot, buzë të thata, zbehje në fytyrë dhe këputje të trupit. Shoqërohet me dhimbje barku dhe prerje të oreksit. Kjo zgjat për një periudhë më shumë se dy javë nëse nuk kurohet.
Aparati tretës
Për të shpjeguar nga se vjen diarreja duhet shpjeguar funksionimi i aparatit tretës te njeriu. Çdo ushqim që ne konsumojmë përfundon në stomak, nga ku përpunohet nëpërmjet acideve të ndryshme që bien në stomak dhe prej andej përfundon në zorrën e trashë. Ushqimi që përpunohet në stomak shërben për t’i dhënë trupit tonë proteinat, vitaminat dhe kripërat e nevojshme për të mbijetuar dhe nëse këto mungojnë, organizmi ynë sëmurët.
Ky ushqim thithet nëpërmjet miliarda qelizave që ndodhen në pjesën e brendshme të stomakut dhe përcjell në trupin tonë, me anë të gjakut, proteinat, vitaminat dhe kripërat. Por edhe kur ky ushqim përcillet në zorrën e trashë, vazhdon ta furnizojë trupin tonë me elementët e domosdoshëm për jetesë, sepse zorra e trashë nuk është vetëm një tub shkarkimi i ushqimit, por dhe një ndër pjesët më të rëndësishme të organizmit. Në të gjenden gjithashtu mijëra qeliza, të cilat thithin këto elemente të domosdoshme për jetesë. Dhe kur ky material që quhet “jashtëqitje”, qëndron në zorrën e trashë duke sjellë me vete edhe shumë mikrobe të ndryshme.
Por zorra e trashë është shumë e imunizuar ndaj këtyre mikrobeve, sepse në të ndodhen gjithashtu edhe shumë mikrobe të tjera, të cilat luftojnë çdo moment me mikrobet e këqija për të ruajtur ekuilibrin midis tyre dhe të dyja së bashku përbëjnë atë që quhet fluora bakteriologjike intestinale.
Kjo e fundit shërben për shpërbërjen e ushqimit në elementë të ndryshëm më të thjeshtë, në mënyrë që të thithen nga qelizat që ndodhen në zorrën e trashë, duke i përcjellë më pas këto elemente në trupin tonë. Kur ky ekuilibër prishet në favor të mikrobeve negative, ndodh fenomeni i diarresë, kjo për arsye se qelizat nuk mund të thithin “helmin” e lëshuar prej tyre, duke shkaktuar jashtëqitje të menjëhershme të materialit ushqyes që ndodhet në të.
Prishja e ekuilibrit
Kur marrim antibiotike për të shëruar sëmundje të ndryshme, antibiotikët përfundojnë edhe në zorrën e trashë. Aty antibiotiket eliminojnë mikrobet e mira dhe të këqija, duke e varfëruar fluorën bakteriologjike. Për këtë arsye mjekët këshillojnë që të merren sa më pak antibiotikë. Pas përdorimit të një kure të gjatë me antibiotikë, këshillohet të merret fermentues, në të cilin ndodhen miliarda baktere, që shërbejnë për rigjenerimin e zorrës së trashë.
Gjithashtu, për të kryer këtë rigjenerim të zorrës, rekomandohet të hahet shumë kos. Por ekuilibri i zorrës së trashë prishet edhe kur konsumojmë ushqime të prishura, ose pimë ujë të papastër, në të cilin ndodhen shumë mikrobe. Në këtë rast mjekët këshillojnë dezinfektim me ilaçe të ndryshme, pastaj riekuilibrim të baktereve si në rastin e mësipërm.
Por diarreja mund të shfaqet edhe nga sëmundjet e ndryshme që ka zorra e trashë, si për shembull, kur ka skuqje të forta, kur ka hemorroide (majasell) edhe në pjesën e brendshme të saj dhe jo vetëm në fillim të anusit, ose kur kemi kolit.
Si mund të ndalohet
Mjekët këshillojnë që për të ndaluar diarrenë është mirë që të pihet shumë ujë, pak i vakët, në mënyrë që të treten helmet dhe të lahet zorra e trashë. Më pas, me marrjen e një apo dy kokrrave ilaç, ajo ndalohet.
Përdorimi i ujit me rigon është një tjetër mënyrë efektive për të frenuar diarrenë. Rigoni është një dezinfektues natyral dhe ndihmon shumë mirë në tretjen e ushqimeve si dhe nuk lejon fermentimin e shpejtë të tyre. Pasi të keni zier një litër ujë, hiqeni nga zjarri dhe hidhni në të një lugë gjelle me rigon. Përgatitjen e lini për rreth 20 minuta, më pas e kulloni dhe uji pihet gjatë ditës.
Gjatë kohës që jeni me diarre nuk duhet pirë alkool, nuk duhen ngrënë ushqime pikante, as fruta dhe perime, pasi treten me vonesë. Fëmijëve më të mëdhenj, që pranojnë ushqim solid, u jepen banane, pilaf, si dhe drithëra të ziera.
Diarreja me shpesh shfaqet si fenomen kalues, si pasojë e sëmundjeve të tjera dhe nuk bëhet fjalë për sëmundje serioze. Shumica e sëmundjeve, që shoqërohen me të vjella dhe diarre, janë të lehta dhe reagojnë mirë në terapi të rëndomtë. Menjëherë pas shfaqjes së diarresë duhet filluar marrja e lëngjeve. Sipas mjekëve, për këtë sëmundje më e rëndësishme është të pish sesa të hash. Rreziku më i madh gjate diarresë së rëndë është dehidrimi, pra humbja e ujit nga organizmi.
Kurat popullore
Manaferra
Diarreja shoqërohet me dhimbje barku. Dhimbjet dhe spazmat e barkut kanë dhe mjekimin e tyre popullor. Mjekët sugjerojnë se për përgatitjen e mjekimit merren 100 gramë gjethe dhe maje lastarësh të manaferrës, pastrohen, shtypen dhe vendosen të zihen në 1 litër ujë. Lëngu i fituar pihet nga një gotë para buke.
Lëngu i frutave
Në mjekësinë popullore lëngu i frutave ka dhënë rezultate të mira për të ndaluar diarrenë. Për përgatitjen e këtij lëngu nevojiten 150-200 gramë fruta, të cilat duhen zierë me 250 ml verë. Nga lëngu i përftuar pihet nga një filxhan kafeje e ngrohtë.
Mendra dhe kamomili
Një kurë tjetër popullore është dhe ajo e përgatitur nga 50 gramë mendër dhe 50 gramë kamomil, të cilat përzihen së bashku. Nga përzierja merren tri lugë gjelle dhe vendosen në 500 ml ujë të valuar. Mbyllen për dy orë dhe pihen. Para buke nuk duhet të ëmbëlsohen, ndërsa pas buke duhet ta ëmbëlsoni çajin.
Hudhra
Për dhimbjet e barkut dhe spazmat, kur duket se janë të forta, përdoren 3-4 thelpinj hudhre të shtypura imët, që vendosen më pas në 100 ml raki të forte rrushi. Kjo mase pihet disa herë kur ndiejmë dhimbjet, derisa ato të ndalen. Ata që janë prekur nga diarreja dhe që pranojnë ushqim solid duhet të hanë banane, pilaf, drithëra të ziera, mollë dhe mish të zier.
Frutat e bimët
Në mjekësinë popullore hurmat kanë gjetur përdorim të mirë kundër anemisë, te sëmundjet e aparatit tretës, të cilat shoqërohen me diarre (jashtëqitje e shpeshtë). Me mjaft sukses përdoret te sëmundjet e mëlçisë, zemrës, syrit dhe sistemit nervor.
Karota
Karota është perime i pazëvendësueshëm për shëndetin e njeriut. Kjo perime këshillohet të konsumohet për të frenuar diarrenë. Ajo rregullon tretjen në lukth, duke aktivizuar qelizat parietale të tij, e njëkohësisht rrit peristaltikën e zorrëve, por ndërkohë është shumë efikase te diarreja.
Kokrrat e trëndafilit
Çaji i përftuar nga kokrrat e trëndafilit është një tjetër kurë popullore që këshillohet nga mjekët popullore për diarrenë. Për përgatitjen e këtij ilaçi bimor nevojiten shtatë deri në tetë kokrra të copëtuara të trëndafilit, të cilat duhen zierë për 10 minuta. Ky çaj përdoret 2 herë në ditë nga një gotë.
Mersina
Një bimë tjetër popullore që rekomandojnë mjekët për të kuruar diarrenë është mersina. Për përgatitjen e kësaj kure nevojiten 15 deri 30 gjethe të copëtuara mersine, të cilat hidhen në një litër ujë dhe lihen të valojnë për 5 minuta. Pasi ziejnë lihen të mbuluara për 15 minuta. Kjo mase pihet e ëmbëlsuar nga 4 deri 6 lugë gjelle në ditë.
Çaji i lëvores së vidhit
Ilaçi i fundit që rekomandojnë mjeket popullore për diarrenë është çaji i lëvores së vidhit. Duke qenë se ka një shije të hidhur çaji duhet të përdoret i ëmbëlsuar. Po për këtë arsye përdoret edhe çaji i bimës së lule bishtamidhit. Edhe ky pihet i ëmbëlsuar me sheqer ose mjaltë, sipas dëshirës. Çaji duhet të pihet sa herë që shfaqen shenjat e diarresë.