E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, parajsa e zhytur në skamje

Ndonëse me një sipërfaqe
të vogël, ndër më të voglat
në rajon, Shqipëria ka fatin
e madh të ketë një nëntokë
shumë të pasur, por jo vetëm.
Vendi ynë është i treti për nga
rezervat e kromit në botë, në një
kohë kur çmimet e këtij minerali
në tregjet ndërkombëtare rriten
nga dita në ditë. Shqipëria prodhon
sot rreth 700 mijë tonë naftë
në vit, kur fqinjët tanë, Greqia dhe
Maqedonia, nuk prodhojnë asnjë
pikë. Për fat të mirë, pjesa dërrmuese
e këtyre pasurive mbeten
të pashfrytëzuara. Në pamundësi
për t‘i shfrytëzuar vetë, gjatë
viteve të fundit, duke parë edhe
interesin në rritje të shoqërive të
huaja, qeveritë shqiptare kanë
dhënë me koncesion, ose me leje
shfrytëzimi disa prej burimeve më
të rëndësishme natyrore të vendit.
Disa prej koncesioneve kanë
rezultuar shumë problematikë
dhe në kurriz të shtetit shqiptar.
Nafta
Shqipëria është e njohur si një
provincë naftë-gazmbajtëse që
nga kohët romake, kur nafta e
rëndë dhe asfaltet e Selenicës janë
përdorur për ndriçim. Zbulimi i
parë i naftës është bërë në Drashovicë,
në vitin 1918. Në vitin 1927
dhe 1928 janë zbuluar, respektivisht,
vendburimet e naftës së
Kuçovës dhe Patosit. Vendburimi
i Marinzës, që përfaqëson vendburimin
më të madh të naftës në
Shqipëri, është zbuluar në vitin
1957. Sipas të dhënave më të fundit,
rezervat e naftës në vend arrijnë
400 milionë tonë, nga të cilat
janë shfrytëzuar deri më tani
vetëm 15 për qind e tyre. Industria
e naftës në vend i është dhënë
me koncesion kanadezëve të
"Bankers Petroleum". Shteti shqiptar
do të marrë 63 për qind të
fitimit, pasi kompania kanadeze të
ketë shlyer të gjithë investimin e
saj në fushën naftëmbajtëse të
Patos-Marinzës.
Kromi
Shqipëria zotëron rreth 4% të
rezervës botërore të kromit, duke
u renditur në vendin e tretë në
botë. Së fundmi, eksportet e
kromit janë shumëfishuar. Në
vend vlerësohet se ka pasur rezerva
në më shumë se 36 milionë
tonë krom, të ndodhura kryesisht
pranë Korçës, Matit, Elbasanit dhe
Kukësit, me një vlerë prej gati 15
miliardë dollarësh. Eksporti i
kromit dhe nënprodukteve të tij
gjatë regjimit komunist siguronte
një nga rezervat më të rëndësishme
të Shqipërisë në valutë
perëndimore. Megjithatë, industria
shqiptare e kromit nuk arriti
ndonjëherë të përmbushte planin
edhe gjatë viteve të diktaturës. Por
aty nga vitet ‘60, kemi qenë, madje,
prodhuesi i dytë i kromit në
nivel botëror, me një vëllim
prodhues që llogaritej në mbi 1
milion ton në vit. Aktualisht, industria
e kromit shfrytëzohet nga kompanitë
e mëdha që kanë marrë
me koncesion vendburimet kryesore
të këtij minerali dhe rreth 109
subjekte kryesisht të vogla që kanë
leje shfrytëzimi. Pjesa më e madhe
e prodhimit sigurohet nga kompania
ruso-austriake "Deca
Metal", e cila bleu asetet e italianes
"Darfo", që prej vitesh kishte marrë
në përdorim vendburimet
kryesore të kromit në vend.
Bakri
Një tjetër pasuri mjaft e rëndësishme
e nëntokës shqiptare është
edhe bakri. Sipas vlerësimeve,
mendohet se në Shqipëri ka më
shumë se 53 milionë tonë mineral
bakër, i përqendruar kryesisht
në zonën veriore e atë verilindore
të vendit. Aktualisht, industria i
është dhënë me koncesion shoqërisë
turke "Ber Oner", në bazë
të një marrëveshjeje të vitit 2001.
Pasi ka fituar marrjen me koncesion,
firma turke është përqendruar
vetëm në minierën e pasur
të Munellës dhe ka kryer disa investime
modeste në rehabilitimin
e fabrikës së pasurimit në Fushë-
Arrëz. Sipas informacioneve të
marra nga ekspertë, shoqëria ka
shumë probleme në zbatimin e
kontratës koncesionare dhe është
përqendruar kryesisht në
shfrytëzimin e stoqeve të mbetura,
që nga koha kur kjo minierë
shfrytëzohej nga eksperimenti
socialist Albakër. Koncesioni me
turqit ka qenë disa herë në prag të
prishjes.
Uji
Shqipëria është vend malor,
me rreth 450 km vijë bregdetare,
dhe me rezerva të shumta ujore,
shumë lumenj, burime dhe liqene
natyrore. Sipas Stanners et Bourdeau,
vendi ynë renditet ndër të
parët në Evropë për sa i përket
sasisë së ujit për frymë të popullsisë.
Kjo shifër vlerësohet të jetë
mbi 13 mijë m3; rreth 44% e sasisë
së ujërave buron brenda vendit.
Për shkak të veçorive morfologjike,
Shqipëria është shumë
e pasur në lumenj. Më shumë se
152 lumenj dhe përrenj formojnë
përfundimisht 8 lumenj të mëdhenj,
që rrjedhin nga juglindja drejt
veriperëndimit, kryesisht drejt
bregdetit Adriatik. Rreth 65% e
pellgut ujëmbledhës të tyre shtrihet
brenda territorit shqiptar. Këta
lumenj shkarkojnë në detin Adriatik
mesatarisht 1 308 m3/s. Shqipëria
ka një potencial të madh
hidroenergjie, nga i cili vetëm 35%
është shfrytëzuar deri tani. Kapaciteti
hidroenergjetik i instaluar
është 1461 MW. Prodhimi mesatar
nga hidroenergjia është 5.224
GWh. Potenciali hidroenergjetik i
vendit tonë vlerësohet rreth 600
mijë KWh për km2 dhe potenciali
vjetor i prodhimit mund të arrije
18 TerraWh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›