E Hënë, 2 Nëntor 2026

Viti 1992

14/06/2005  Viti 1992 ka zënë mjaft vend në fjalimet e Partisë Demokratike. Shpesh në sheshet e mbushura nga simpatizantët e PD-së bëhen paralele me vitin 1992, duke lënë të nënkuptohet që zgjedhjet e 3 korrikut 2005, ashtu si zgjedhjet e vitit 1992, që sollën në pushtet Partinë Demokratike, përbëjnë një moment historik për Shqipërinë. Një paralelizëm i tillë mund të duket i gjetur në shumë aspekte, në fund të fundit zgjedhjet e 3 korrikut përbëjnë një moment historik për Shqipërinë dhe nuk është aspak çudi që ato të sjellin në pushtet Partinë Demokratike. Përtej kësaj, paralelizmi në fjalë jo vetëm çalon, por edhe mund ta dëmtojë në vend që ta ndihmojë fushatën e PD-së.

Dhe kjo jo për faktin sepse çdo referim ndaj të kaluarës nuk i shërben PD-së, por si pasojë e simbolikës që përfaqëson viti 1992. Përtej ndryshimit, rënies së diktaturës komuniste dhe vendosjes së një sistemi demokratik, viti 1992 për shqiptarët nënkupton edhe vitin e një traume dhe zhgënjimi të madh. Kjo jo për faktin se në këtë vit erdhi në pushtet Partia Demokratike, jo për faktin se qeverisja e PD-së nuk pati suksese dhe as si pasojë e rënies së sistemit të piramidave. Në thelb të këtij zhgënjimi qëndronte pritshmëria e lartë, me të cilën u shoqërua ndryshimi i regjimit. Si në çdo revolucion tjetër edhe në Shqipëri pjesa më e madhe e popullatës, dhe veçanërisht ata që morën pjesë dhe dëshironin rrëzimin e sistemit komunist mendonin se me ardhjen e demokracisë Shipëria do të kthehej në një parajsë të vërtetë, ashtu si gjithë Evropa. Jo rastësisht thirrja e asaj kohe ishte ‘ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa’.

Në fakt ashtu si komunizmi dikur, edhe demokracia u prit dhe u përqafua si toka e premtuar, si sistemi që në mënyrë të pashmangshme do të sillte parajsën në Shqipëri. Boshllëku shpirtëror i krijuar nga zhgënjimi me komunizmin u mbush shumë shpejt nga demokracia. Në këto kushte pritshmëria nga Partia Demokratike ishte pritshmëria më e lartë, me të cilën është përballur një qeveri shqiptare që nga viti 1912, kur e shpall pavarësia e Shqipërisë. Një pritshmëri e tillë nuk mund të prodhonte veçse zhgënjime, veçanërisht, nën koston e reformave të thella ekonomike dhe shoqërore. Shenjat e këtij zhgënjimi u dukën mjaft shpejt në zgjedhjet lokale vitit 1992 dhe më pas në referendumin e vitit 1994. Një pjesë e këtij zhgënjimi u neutralizua nga firmat piramidale, me falimentimin e të cilave ky zhgënjim jo vetëm u zbulua, u shtua, por edhe u kthye në një zemërim që shërbeu edhe si pikënisje e ngjarjeve që rrodhën më pas. Dhe kjo pavarësisht nga fakti që qeverisja e periudhës 1992–1996, duke gjykuar në raport me kushtet e Shqipërisë së atëhershme dhe nga të gjitha indikatorët ekonomik, ka qenë qeverisja më e suksesshme e deritanishme në historinë e Shqipërisë.

Pra, viti 1992 në vetvete mbërthen pikënisjen e zhgënjimit të madh për shumë shqiptarë. Ngjarjet që rrodhën pas këtij viti ishin një dëshmi tronditëse se demokracia nuk është as një sistem i përkryer dhe as i lehtë për t’u realizuar, aq më pak në Shqipëri. Pas këtij viti gjithnjë e më tepër çdo shqiptar filloi të zgjohej nga ‘ëndrra demokratike’ në një realitet tronditës, ku mungonte ‘dora e ngrohtë e shtetit’, ku konkurrenca e tregut shpesh ishte mjaft e ashpër sidomos për një pjesë të mirë të popullatës, që ishte mësuar të vegjetonte në sektorin shtetëror, ku mjaft të tjerë humbën statusin e tyre social dhe filluan të ndiheshin gjithnjë e më të papërfillur përballë biznesmenëve të rinj, që shpesh vinin nga shtresa ‘të ulëta’. Viti 1997 ishte thjesht finalizimi i këtij zhgënjimi që ishte i pashmangshëm, ndonëse mund të menaxhohej mjaft më mirë. Një zhgënjim i tillë nuk ishte specifik vetëm për Shqipërinë, por diçka që ndodhi kudo në Evropën Lindore.

Ky zhgënjim është një nga kostot më të mëdha që ka paguar Partia Demokratike gjatë qeverisjes së saj, si dhe një nga avantazhet më të mëdha të Partisë Socialiste. Ndryshe nga viti 1992, ardhja e Partisë Socialiste në pushtet nuk bëhej përballë ndonjë pritshmërie të madhe, sikurse kish ndodhur 5 vjet më parë me PD-në, gjë që e bënte më të pranueshme edhe një qeverisje jo shumë të suksesshme. Shumica e zhgënjimit dhe e pakënaqësisë tashmë ishte marrë nga PD-ja dhe lideri i saj.

Pikërisht në këtë zhgënjim mund të kërkojmë dhe të gjejmë edhe rrënjët e një urrejtjeje shpesh patologjike ndaj liderit të PD-së, Berishës, përtej një sërë gabimesh ai ka bërë gjatë të qenurit president. Për shumë individë dhe intelektualë, ai përfaqëson vetë trupëzimin e këtij zhgënjimi të madh, e ëndrrës që ata nuk e panë të bëhej realitet, e asaj që Shqipëria mund të ishte por nuk u bë. Berisha është jo vetëm kujtesë e këtij zhgënjimi, por për disa edhe dëshmi e bashkëfajësisë në dështimin e ëndrrës demokratike, një kujtesë e dhimbshme e veprimit, apo mosveprimit të tyre për ta bërë Shqipërinë ashtu sic e ëndërronin. Për këtë arsye nuk është aspak çudi që për mjaft individë largimi i Berishës është kthyer në një mision jetësor, që disa urrejtjen ndaj tij e kanë patologjike, ndërsa të tjerë e kanë kthyer atë në mënyrë jetese.

Në këtë aspekt përmendja e shpeshtë e vitit 1992, pavarësisht nga paralelizmat që ai mund të ngjallë, dhe megjithë rëndësinë që ka pasur ky vit historik, nuk i shkon shumë fushatës së opozitës, dhe aq më pak liderit të saj. Në mesazhin e saj që shikon nga e ardhmja opozita nuk ka më nevojë dhe duhet të çlirohet nga e kaluara, duke ia lënë vite si 1992 historisë dhe jo elektoratit, kujtesa dhe emocionet e të cilit jo gjithmonë i shkojnë për shtat të vërtetave historike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›