E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bild”: “Vata pret festën e golit të 30-të”



Pas javës së 19-të, dukej se po vinte fundi. Tus Koblenz ndihej i pafuqishëm. Por sulmuesi 37-vjeçar shqiptar Fatmir Vata nuk besonte kurrë në rënien nga Bundesliga 2.
“Ne gjithmonë e kemi ditur se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, - deklaroi Vata për gazetën popullore gjermane “Bild”. “Nëse ne të gjithë jemi mirë fizikisht, atëherë vështirë se do të biem nga kategoria. Ne e dinim se dikur rezultatet do të vinin. Në Vehen ne nuk kishim se ç’të kumbisnim. Dhe më në fund gjetëm ritmin tonë”.
Kundër Vehen-Visbaden, Tus Koblenc fitoi 3-1. Më pas mbërriti fitorja madhështore në shtëpi kundër Fyrthit (3-0). E fundit, ajo 2-0 në Augsburg, ku Vata shënoi golin e dytë të takimit dhe të 29-tin e tij në Bundesliga 2 dhe të 37-tin në Gjermani, përfshirë dhe 8 gola në Bundesliga 1.
“Tus Koblenc është rikthyer”, - thekson “Bild”. Vata shton: “Për momentin po ndiejmë kënaqësi. Ne po luajmë sërish një futboll agresiv dhe të guximshëm, por tani ne nuk duhet të humbasim vetëkontrollin. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”.
Të premten luhet e para nga tri ndeshjet e “frikshme”. Së pari, Osnabruk, një betejë për “jetë a vdekje”. Më pas vjen derbi me Kaiserlauternin. Dhe seria mbyllet me Hansa Rostokun.
“Natyrisht që janë tri ndeshje speciale. Por fitoret me to janë veçanërisht të rëndësishme. Ne duhet të marrim pikë se më pas do të vijnë përplasjet me të gjitha skuadrat që luftojnë për ngjitje në Bundesligë”, - tha Fatmir Vata.
Vata ka plotësisht të drejtë. Pas Kaiserlaturnit, Osnabrykut e Rostokut, vijnë të gjitha të mëdhatë: Nurembergu, 1860 Mynshen, Duisburg, Ahen, Mainc, Frajburg.
“Unë mendoj tani vetëm për Osnabrykun. Na rëndon mbi kokë si një çekiç”, - paralajmëron Vata. “Fituan kundër Ingolstadtit (1-0) dhe dëshirojnë akoma më shumë. Unë pres një ndeshje të mirë, të vështirë. Personalisht do të bëj gjithçka që tifozët tanë të kthehen në shtëpi të kënaqur”.
Ideja gol është në mendjen e tij. Goli i tij i ardhshëm do të ishte i 30-ti në Bundesligën 2. I gjithë Koblenci do ta festonte këtë jubile të vogël.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›