E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2009 nis me depresion, rritet numri i vetëvrasjeve



VLORË – Viti që sapo kemi nisur ka shënuar një numër të lartë vetëvrasjesh vetëm në pak ditë. Ngjarja më e fundit është regjistruar dje në Vlorë. Vetëm 24 orë pas vetëvrasjes së një të mituri në Durrës, një tjetër ngjarje ndodhi paraditen e së martës në Vlorë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Ferdinand Bedini, në shtëpinë e tij. Bedini jetonte vetëm me babain e tij të moshuar, pas divorcit me bashkëshorten. Ndërsa familjarët e viktimës shprehen se 53-vjeçari prej disa kohësh kishte probleme depresive. Në momentin e kryerjes së aktit vetëvrasës, ai ka qenë i vetëm në shtëpi kur është varur me litar në oborrin e banesës ku jetonte në lagjen “Vrenëz” të qytetit bregdetar. Viktima ka lënë një letër për familjarët, por detajet e saj nuk bëhen të ditura. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kryer të gjitha veprimet hetimore. Sipas saj, shkak i vetëflijimit të 53-vjeçarit ka qenë depresioni.
Dy ditë më parë, një i mitur në Durrës ka qëlluar veten me armën e babait të tij, i cili është efektiv i forcave të policisë. Sipas burimeve policore, shkak është bërë një konflikt në familje, i cili më pas ka nxitur të miturin për aktin vetëvrasës. Në të njëjtën ditë ndodhi një vetëvarje në mjediset e Burgut të Drenovës. Bashkim Muçka, i akuzuar për vrasjen e një kambisti, në pritje për t’u gjykuar i dha fund jetës.
Në Kukës, policia ka gjetur trupin e pajetë të 45-vjeçarit Kapllan Billa. Hetimet e para tregojnë për vetëvrasje. Dyshimet janë për një akt të pakujdesshëm. Ndërsa të shtunën e kaluar, në Përmet u gjet i varur në një pemë një 22-vjeçar, akt të cilin ai e motivonte me faktin se prindërit nuk e lejuan që të merrte vajzën që dashuronte. Numri i lartë i vetëvrasjeve ka shkaktuar edhe reagimet e politikës. E majta, përmes një deklarate, fajësonte politikat e qeverisë, ndërsa Ministria e Brendshme akuzonte Partinë Socialiste se po bënte politikë me fatkeqësinë e shqiptarëve.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›